FIER- Kryeministri Edi Rama ka vijuar sot turin elektoral me prezantimin e kandidatit për kryetarin e bashkisë më të madhe në Myzeqe, atë të Fierit. Rama tha se Armando Subashi, i cili do të lërë mandatin e deputetit për të garuar për këtë bashki, ka mbështetjen e koalicionit dhe se do ta kthejë Fierin në drejtimin e duhur.

“Faleminerit për praninë tuaj kaq masive në këtë takim për ti dhënë mbështetje Armandos që shpresoj dhe besoj që gjithë këtë investim të madh e shpirtëror politik që dy partitë po investojnë të di ta kthejë me projekte dhe ta çojë Bashkinë e Fierit në drejtimin e duhur”, deklaroi Rama.


Kryeministri tha se 18 muajt e kësaj qeverie kanë qenë shumë të ngjeshur dhe me vështirësi të jashtëzakonshme, pasi vendi kishte shumë probleme dhe një borxh të madh që sipas tij, u mbajt i fshehur.

“Jemi këtu së bashku por të nisur një tjetër betejë. Kemi shumë gjëra për të thënë në lidhje me 18 muajt që pasuan me marrjen e detyrës pas besimit të qytetarëve të gjithë qarkut të Fierit. Siç e tha edhe Gramozi kanë qenë 18 muaj shumë të ngjeshur me vështirësi të jashtëzakonshme, duke filluar jo vetëm me plagët me hemorragji të së shkuarës, të keqqeverisjes por edhe me një borxh të madh që e kishin fshehur. Në këto 18 muaj ne kemi arritur ta ndalim hemorragjinë në të gjithë sektorët e jetës dhe mbi të gjitha të kthejmë vendin në drejtimin e duhur”, tha ai. (vijon)

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama iu kthehu përgjigje të gjithë skeptikëve që kanë komentuar reformat e qeverisë këto 18 muaj. Sipas Ramës, ‘reformat nuk janë as koncerte e ndeshje futbolli, por operacione të vështira.

Sakaq, kreu i Ekzekutivit theksoi se tashmë parlamenti pritet të miratoi një projektligj të ri, i cili do ti japë kompetencat 61 bashkive të reja që të administrojnë ato çështjet me fermerët, siç janë ato të vaditjes dhe kanaleve kulluese.

“Jam shumë i vetëdijshëm për problem që njerëzit vazhdojnë të hasin. Jam shumë i vetëdijshëm për mundin dhe sakrificat e njerëzve që jetojnë me punë të ndershme. Duke u nisur nga ata që i janë përkushtuar prodhimit e tokës dhe sot e gjithë ditës kanë mungesë në shërbimin e kullimit të kanaleve. por ne i dhamë një shtytje të forcë, siç është reforma historike ajo “Territoriale”. Ndaj një problem është që të trajtohen drejtpërdrejtë nga bashkia e re dhe për pak javë parlamenti do kalojë një vendim që gjithë përgjegjësinë do ja kalojë për vaditjen bashkive. Ndaj fermerët do kenë bashkëpunim të drejtpërdrejtë me bashkitë. Dua ta rinënvizojë edhe këtu; reformat nuk janë as koncerte dhe as ndeshje futbolli, e as festa e dasma, por janë operacione të vështira dhe kërkojnë sakrificë e durim. Asnjë prind se çon fëmijën në operacion se do ta detyrojë të provojë dhimb jen, por asnjë prind nuk do të lërë pa çuar në operacion fëmijën nuk ka nevojë. nuk ka prind që do donte ti jepte fëmijës ilaçe të hidhura, por mjaltë. këto janë reforma që do garantojnë vazhdimin në drejtimin e duhur.”, -pohoi Rama.

Kryeministri Rama risolli në vëmendje dhe operacionin në sektorin e energjisë elektrike, që sipas tij harxhonte rreth 150 milionë euro në vit.

“Mjafton t’ju sjellë bënë vëmendjen shembullin e energjisë. U bëmë gazi i botës, lamë kokrrën e namit, se vodhëm vetveten. I fusnim dorën në xhep të gjithë atyre që paguanin taksa, për të mbuluar ata që s’paguanin. 150 milionë euro në vit, në vend që të shkonin për kopshte dhe shkolla, për spitale e rrugë, shkonin për të mbushur një gropë që zgjerohej vit pas viti, duke e çuar Shqipërinë në prag të kolapsit. Ne jemi shumë të inkurajuar se mbi 300 mijë konsumatorë e lanë avazin e vjetër. E la ekonominë dhe financat, dhe shëndetësisë dhe nënshkruan aktmarrëveshjen me kompaninë, duke u kthyer në pagues të rregullt dhe duke paguar borxhet e prapambetura. Për herë të parë kompania e shpërndarjes doli në muajin prill me fitim. Ç’ka do të thotë se nuk do fus dorën në arkën e shtetit për të kompensuar arkën. Ato para që shkonin për të mbuluar gropën, shkojnë për ekonominë, për qytetin e fshatin, për të gjitha bashkitë. Unë ju siguroj se duke ecur në këtë drejtim, që është drejtimi i duhur, do harrojmë që këtë pasuri kombëtare ta kthejmë në një shtysë të madhe për ekonominë tonë. Zgjedhjet e 21 qershorit janë zgjedhje shumë të rëndësishme, pasi është zgjedhja e parë konform hartës së re administrative territoriale”, tha kryeministri.

Rama u ndal tek efektet pozitive që do të ketë kjo ndarje në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Të gjitha këto shërbime kaq shumë të munguara deri sot sepse mënyra e vjetër e organizimit e bënte të pamundur një shërbim dinjitoz të transportit, të ujit të pijshëm, të mbledhjes dhe përpunimit të mbeturinave. Sepse këto njësi të vogla e kishin të pamundur të përballonin. Jam i bindur se këtë bashki mund ta kthejmë në një model të zhvillimit ekonomik dhe do ta bëjmë këtë pas 21 qershorit pasi Fieri do ti japë një mbështetje spektakolare ASHE-së”, tha Rama.

Sipas kryeministrit fitorja e një kandidati të ASHE-së në zgjedhjet lokale përkthehet në më shumë bashkëpunim me qeverinë dhe më shumë projekte për bashkinë. Rama tha se të votosh kandidatët e opozitës do të thotë ta çosh votën në drejtimin më të gabuar.

“Nevoja që kanë qytetarët nga këto zgjedhje është që të kenë në këtë bashki një përfaqësues dhe partner të ASHE dhe qeverisë. Një përfaqësues që të punojë krah përkrah me qeverinë që ti përgjigjet nevojave tuaja. Ai kryetari që ka vënë Saliu atje, u ankohet të huajve se kryeministri kërcënon qytetarët se po nuk na votuat do të ngeleni pa punë e pa ujë. Unë nuk kërcënoj asnjë por të votosh kandidatët e tyre do të thotë ta çosh votën në drejtimin më të gabuar dhe ta lësh bashkinë pa timon. Dua ti bëj një thirrje grave dhe vajzave, se gratë e dinë mirë se ç’është drejtimi i duhur, se burrat shpesh herë gabohen. Po të mos ishin gratë kushedi sa burra do ta kishin humbur drejtimin. Më 21 qershor mendoni se me votë tuaj do ti jepni mundësi mbesës ose nipit tuaj për të pasur një çerdhe apo kopsht më të mirë. Vota e 21 qershorit është një votë për çdo familje shqiptare që të marrë shërbimet që meriton në bashki. Le t’ja japin votën PD-së për Këshillin bashkiak, por s’mund t’ju mohojnë të drejtat nipërve dhe mbesave të tyre. Për të pavarurit nuk po ju flas se ju i varni vetë dhe nuk keni nevojë për orientim nga qendra. I varni në zinxhirin e përgjegjësive që kërkoni ju”, tha Rama.

SUBASHI: REFORMA TERRITORIALE E RËNDËSISHME, DO KRIJOHEN ZONA FUNKSIONALE
Gjatë fjalës së tij, kandidati i majtë për Bashkinë e Fierit, Armando Subashi deklaroi e në fokus të punës së tij do jenë problemet e bujqësisë, më të cilën hasen fermerët.

Subashi theksoi më tej se një nga të mirat që do sjellë reforma e re Administrativ-Territoriale është krijimi i zonave funksionale.

“Kjo është një nga tre bashkitë më të mëdhaja. Reforma Territoriale që ne ndërmorëm është sukses. Kjo është arsyeja e parë që ne nuk u menduam asnjëherë. Ne ndërmorëm këtë reformë territoriale. Arsyeja e dt ishte; krijimi i zonave funksionale. Bashkitë duhet të jenë qendra dhe funksione të fuqishme. e para që është sektori më i rëndësishme, është bujqësia, pasi Myzeqeja mbahet për këtë sektor. Ne kemi qenë në kontakt këto ditë me të gjitha problematikat që ka fshati sot. Fermerët sot kujtojnë ditët më të mira të kësaj periudhe, pasi tokat mbyten në dimër, dhe thahen për një pikë ujë në verë. Një tjetër problematikë me të cilën hasen fermerët janë tregjet. Edhe pse çmimit vazhdojnë të jenë ato që i dimë, por imagjinoni kur vjen fundi, edhe pse prodhohet tu krijohen tregje, ka ende punë për tu bërë nga bashkia. Tashmë, ne nuk jemi të ndarë, siç ka qenë Shqipëria në këto vite, pasi jemi një. Merita jonë nesër është sesi ne të bashkërendojmë politikat dhe interesat tonë. Në gjithë këto vite që në pushtet ka qenë Saliu, në Fieri ka pasur mungesë të investimeve.”, tha Subashi.

(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb