Edi Rama ka lajmëruar rikonceptim të kabinetit qeveritar. Javën e ardhshme, ka deklaruar kryemnistri se do të ngrihet Ministria e Administratës Publike, drejtimi i të cilës do ta marrë Adea Pinderi.

Ky ndryshim tha Rama vjen si nevojë e faktit se administrata publike ka një rëndësi të madhe në funksionimin e shtetit dhe të procesit të integrimit evropian.

Kryeministri Rama e bëri publik njoftimin në publikimin e platformës së re, “Shkalla e Meritës”. Shefi i ekzekutivit vuri theksin në nevojën e një administrate publike të përgjegjshme dhe profesionale.

Nevoja për forcimin e administratës vjen sipas Ramës edhe nga protesta qytetare e cila vijon në ditën e 132-të.
< "Dhe, pa dyshim, kur ne e kuptuam këtë në një test aq sfidues, kuptova edhe se ne mund të shtyjmë më tutje, ndërkohë që kohët sollën që nevojat për të shtyrë më tutje të bashkëndaheshin me vetë njerëzit, me vetë masën e gjerë të qytetarëve, të cilët, në një moment të caktuar, shfrytëzuan një shkak që nuk ishte për të gjithë një shkak aq i rëndësishëm sa të dilnin në protestë dhe dolën në protestë me nevojën e madhe për të shprehur disa shqetësime të akumuluara dhe për të kërkuar një përshpejtim të domosdoshëm në kushtet kur, praktikisht, Shqipëria e ka kapërcyer epokën e mungesave dhe ka hyrë në epokën e pritshmërive të larta", tha Rama. Në fjalën e tij, Rama deklaroi nevojën e vlerësimit të punonjësve të administrës publike, ku gjithsecili duhet të marrë çfarë i takon. Edi Rama: Dua ta ndaj me ju këtu sot, sepse m’u duk vendi më i mirë për ta ndarë këtë, që do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht sepse tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë, por është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë, por është një temë shumë qendrore edhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë dhe është nevoja që, përmes Ministrisë së Administratës Publike, një model që e kanë shumë vende të tjera europiane, ne të zgjerojmë gamën e detyrave, gamën e punëve dhe, patjetër, edhe gamën e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve.

Dhe nuk diskutohet, ose, më saktë, mund të ketë edhe ndonjë që mund ta diskutojë, por, në këndvështrimin tim, nuk diskutohet që Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë dhe ta çojë përpara vetëm ministrja e Shtetit sot për Administratën Publike. Kështu që, Adea, unë të falënderoj edhe një herë për përkushtimin, për profesionalizmin, të falënderoj po ashtu për faktin që ti asnjëherë nuk i jep lirshëm fjalët e mira dhe as fjalët e këqija, por je gjithmonë e angazhuar që çdo fjalë dhe çdo çështje që trajton të mos bjerë në tokë, siç i thonë fjalës. Kështu që kam shumë besim që, mbi këtë bazë që është ndërtuar, me shumë gurë kilometrikë që ti ke vendosur në këtë rrugë transformimi dhe, patjetër, edhe me kolegët dhe koleget që të duartrokitën në mënyrë të moderuar, do të arrish që Ministrinë e Administratës Publike të Republikës së Shqipërisë ta kthesh në një institucion model, siç duhet të jetë model vetë administrata publike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb