TIRANE-Këngëtarja Rona Nishliu ka nisur të prezantojë pjesë të koncertit “Me motivet tona”. Pas njoftimit të Ministrisë së Kulturës lidhur me këtë event, edhe Kryeministri Rama ka lajmëruar për mbajtjen e koncertit në Lulishten e Kryeministrisë.

“Ylli i Rona Nishliut do të shkëlqejë në natën e 1 majit në parkun e Kryeministrisë ku do të këndojë albumin e ri”, shkruan Rama në rrjetin social “Facebook”.

Vetëm pak ditë më parë, në Prishtinë, Rona ka zgjedhur një vend, të njohur nga prishtinasit si “kurrizi”, për paralajmërimin e albumit të parë si pjesë e asaj që përfaqëson identitetin e Prishtinës, sepse është simbol i viteve ’90.

Koncerti “Me motivet tona” në Prishtinë, i cili solli tingujt Jazz me motive të trevave të ndryshme shqiptare, u realizua në bashkëpunim me Drejtorinë për Arsimin dhe Kulturën, të Komunës së Prishtinës.

Projekti “Me motivet tona” i këngëtares Rona Nishliu është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.

“Me motivet tona” do të prezantojë këngëtaren Rona Nishliu dhe band-in e saj më 1 Maj, në një koncert të tingujve jazz dhe tingujve të folkut shqiptare në lulishten e Kryeministrisë në Tiranë, ka pohuar ministria e Kulturës.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: