Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër përmes një postimi publik në rrjetet sociale, duke hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me zhvillimet politike të muajit mars dhe çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në deklaratën e tij, Këlliçi thekson se kreu i qeverisë “sillet sikur 12 marsi nuk ka ndodhur”, duke iu referuar mbrojtjes së Ballukut në Kuvend, për të cilën opozita ka ngritur akuza. Sipas tij, deklaratat e Ramës për barazi para ligjit janë kontradiktore me veprimet e mëparshme.

“Edi Rama vazhdon të sillet sikur më 12 mars të mos ketë ndodhur asgjë, ose sikur shqiptarët, edhe ata të diasporës, nuk kanë kujtesë. Para tyre sot tha se në Shqipëri s’ka paprekshmëri dhe ka barazi para ligjit. Këto janë vetëm fjalë,” shprehet Këlliçi.

Deputeti demokrat shton më tej se një muaj më parë, kryeministri, së bashku me shumicën parlamentare, sipas tij, “shpallën veten të paprekshëm përballë drejtësisë”, duke përmendur votimin në Kuvend si provë të këtij qëndrimi.

Këlliçi akuzon gjithashtu qeverinë për mbrojtje të aferave korruptive dhe për pasoja në procesin e integrimit europian të vendit. Ai kërkon largimin e menjëhershëm të Ramës nga detyra dhe hetimin e tij, si dhe të bashkëpunëtorëve të afërt, për “abuzime me miliarda euro”.

Në fund të reagimit, deputeti i opozitës bën thirrje për mobilizim qytetar, duke paralajmëruar një tubim më 17 prill në bulevard, ku sipas tij do të theksohet kërkesa për drejtësi dhe barazi para ligjit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb