Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në impiantin e ri të trajtimit të ujit të pijshëm në Bovillë, ku duke e cilësuar këtë një vepër madhore, është shprehur se përfitojnë ujë të pijshëm 24 orë në ditë 250 mijë banorë të Tiranës.

Mes të tjerash, Rama ka hedhur akuza edhe ndaj ish-kryebashkiakut Lulzim Basha, duke thënë se e kishte kthyer Ujësjellësin e Tiranës në një ndërmarrje të degraduar, ku jepej dituri për të bërë lidhje të paligjshme për të mundësuar vjedhjen e ujit.

“Sot kemi në Shqipëri 55 kantiere të mëdha, që do të transformojnë jetën e qytetarëve në raport me furnizimin me ujë dhe do të mbyllin një plagë shumë të madhe. Ka një kohë të gjatë të humbur në të gjitha drejtimet, që ne e kemi trashëguar si barrë, pasi tjetër është të ndërtosh gjithcka nga e para dhe tjetër të rregullosh më parë gjithçka që tjerët kanë ndërtuar së mbrapthi. Ne ju themi qytetarëve të Tiranës që nga sot, në të gjitha pikat ku deri dje ishte problem uji, do të marrin 24 orë ujë. Në falk, 62% e Bashkisë së Tiranës do të ketë ujë 24 orë në ditë. Nëse ka pas në Shqipëri një institucion të rrëgjuar, që mund ta fitojë cmimin e fatkeqësisë jonatyrore si rezultat i keqqeverisjes së atyre, që i dini kush janë, me siguri ujësjellësi i Tiranës do të ishte mes 5 kandidatësh. Një ndërmarrje e degraduar në një federatë çetash me çelësin anglez në dorë, që ofronin dituri për të bërë lidhje të paligjshme, pra për të mundësuar vjedhjen e ujit, një ndërmarrje me faturim skandaloz. Populli thotë ‘nuk dua të di si ke qenë, dua të di si je’, por është shumë e rëndësishme që njerëzit të dinë si kemi qenë, sepse nëse harrojmë nga vijmë, humbim drejtimin për ku duam të shkojmë.

Patjetër mbetet 38% e Tiranës ende për t’u furnizuar 24 orë, por mesatarja e furnizimit, që dje ishte 5-7 orë në ditë, sot është 16 orë. Në mbyllje dua të them se bëhet fjalë për një investim që nuk është thjesht cështje se është i rëndësishëm nga pikëpamja financiare, por është shumë i rëndësishëm nga pikëpamja e realizimit, nuk ka qenë një punë e lehtë. Është një vepër madhore në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe që nga marrja e ujit nga liqeni matanë malave deri në këtë platformë ku jemi, në të cilën gjendet një sasi uji që deri as nuk mund të mendohej, e deri te shtrirja pa ndërprerje e furnizimit që nga Yzberishti, Kodër Kamëz, Bathore, Institut, Kashar, Selitë, është realisht për t’u ndjerë mirë, edhe për faktin se në këto zona janë 250 mijë banorë që përfitojnë. Ju them edhe të tjerëve, që nuk hyjnë në këtë grupim, se shumë shpejt uji do të bëhet 24 orë edhe për ta”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb