Deputeti Kujtim Gjuzi tha në foltoren e Kuvendit se është kundër futjes në rend dite të 10 projektligjeve, që kanë të bëjnë me rolin e gjyqësorit në Shqipëri, nga Kodi Penal, te Policia Gjyqësore, funksionimi i prokurorisë apo Gjykatës Kushtetuese.

Gjuzi u shpreh se këto projektligje nuk mund të futen me urgjencë në rend dite, pasi sipas tij, në sallën e Kuvendit mungon qeveria, deputetët socialiste dhe ata opozitarë. Më tej, ai paralajmëroi kryeministrin Edi Rama, që të tregohet i kujdesshëm në ditët e fundit të mandatit.

Gjuzi: Jam kundër futjes me urgjencë të këtyre projektligjeve. E gjithë qeveria këtu është mangët, deputetët socialistë janë mangët, deputetët e opozitës po ashtu. Kjo nuk shkon. Le të shpresojmë që këto ditë kryeministri Rama, në ditët e fundit të mandatit, të jetë i kujdesshëm. E përgëzoj për dërgimin e vaksinave mjekëve të Kosovës. Pra, ne nuk jemi vetëm kritikë, kur ata bëjnë punë të mira, siç është kjo, ne patjetër do ta përshëndesim.

Ruçi: Nuk janë me procedurë të përshpejtuar, as me urgjencë, janë zbatuar të gjitha procedurat. Problemi ka qenë se rendin e ditë e kam firmosur 24 orë para se Komisioni i Ligjeve ka mbaruar punë dhe sot është dita e katërt që Komisioni ka depozituar përfundimet e tij. Sa i përket asaj që deputetët janë mangët, deputetët nuk janë mangët, janë brenda vendimmarrjes që Kuvendi ka marrë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb