Ish-ministri i Ekonomisë Arben Malaj ishte sot në një lidhje skype në rubrikën “Opinion” në News24. Mes të tjerash ai foli në lidhje me skandalin e zbuluar nga raporti i KLSH, ku dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga qeveria është rreth 1.1 mld euro, për periudhën Janar-Shtator 2022.

Në auditim janë marrë në sitë 147 institucione qendrore në varësi të Qeverisë dhe bashkive si ministri, drejtori të përgjithshme, agjenci, njësi të qeverisjes vendore, shoqëri aksionere ku janë konstatuar shkelje të shumta që kanë sjellë dëm ekonomik por edhe ndikim negative në administrim të ardhurave ose shpenzimeve.

Shkeljet më të rënda financiare nga ministritë dhe drejtoritë në varësi të tyre janë konstatuar në tenderë e prokurime publike dhe sidomos në zbatimin e kontratave.

Zoti Malaj u shpreh se raporti nuk duhet të mbetet me aq por duhet të vijojë në debate parlamentare, fillimisht në komisione, në mënyrë që të qartësohet dëmi.

Sipas tij drejtuesit e institucioneve kanë marrë dijeni mbi gjetjet përpara se raporti të merrte trajtën përfundimtare, ndërsa tha se KLSH ka detyrimin jo vetëm të qartësojë gjetjet, por të përcaktojë edhe nga kush janë kryer abuzimet dhe përgjegjësitë e secilit.

Pjesë nga intervista:

Malaj: Raporti duhet të vijojë në debatin parlamentar për të qartësuar dëmin dhe pikat e dobëta të dëmit dhe si duhet minimizuar.

E rëndësishme të rritet kërkueshmëria nga parlamentarët e të dy krahëve, të dy duhet të ndjejnë përgjegjësi.

Kur deri një raport ka dalë pas kontrolleve dhe personat përgjegjës kanë marrë dijeni nga projekt raporti. Drejtuesit e institucioneve janë njohur me gjetjet dhe rekomandimet. Dokumenti më pas ka marrë trajtën zyrtare. Raporti i KLSH nuk është bërë me zyra të mbyllura.

Ç’përgjegjësi do mbahet pas këtij skandali

KLSH nuk ka detyrë të thotë që është shkaktuar ky dëm, por nga kush përse dhe cila është përgjegjësia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb