TIRANE- Para se në Kuvend të tensionohej situata raportoi gjerë e gjatë kryetari i KQZ-së, Klement Zguri i cili prezantoi raportin e veprimtarisë së KQZ-së për vitin 2017.

Në fjalën e tij, kreu i këtij institucioni apeloi për reformë të thellë sa i përket administrimit të zgjedhjeve.

Rekomandimet e OSBE-ODIHR, por dhe administrimi i procesit zgjedhor nga KQZ, nxjerrin në pah domosdoshmërinë e rishikimit të legjislacionit që rregullon organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve. Administrimi i zgjedhjeve kërkon reformë të thellë, nuk është më koha për retushime.

Ka ardhur koha për ndryshime epokale. I takon këtij parlamenti të themelojë epokën e administrimit profesional të zgjedhjeve dhe të largohet nga administrimi politik i tyre.

Një tjetër çështje e rëndësishme e ngritur nga Zguri ishte ajo e financimit. “Financimi i partive politike dhe fushatave zgjedhore është një nga çështje prioritare që meriton vëmendje të veçantë gjatë reformës. Është çështje e cila ka ndikim të drejtëpërdrjetë në cilësinë e procesit zgjedhor dhe ka të bëjë me transparencën e aktivitetit të partive politike, të zgjedhurve, të qytetarëve. Ka ardhur koha që ky Kuvend dhe kjo reformë të themelojnë një epokë të re në sistemin politik të vendit, epokën e transparencës financiare. Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve harmonizimi i legjislacionit, transparenca e financimit të partive politike e fushatave zgjedhore, si edhe garantimi i pavarësisë, paanësisë dhe profesionalizmit të administratës zgjedhore, formojnë prioritete ligjore dhe organizative të dorës së parë”,- sqaroi Zguri.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: