Kryetari i ri i KLSH-së, Arben Shehu paraqiti në Kuvend raportin e KLSH-së për vitin 2020.

Në fjalën e tij, Shehu tha se KLSH i ka kryer të gjitha detyrimet ligjore ndaj Kuvendit të Shqipërisë. “Gjatë viti 2020 Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka përcjellë Kuvendi 66 vendime dhe raporte për auditimet e kryera si dhe në përmbushje të detyrimeve KLSH ka informuar Kuvendin mbi statusin e implementimit të rekomandimeve të lëna nga institucionet e audituara. Në këtë këtë kuadër rezultate e auditivit gjatë vitit 2020 kanë evidentuar problematikat e menaxhimit të fondeve, aseteve dhe pasuritë publike si dhe përgjegjësitë përkatëse nga zyrtarët e çdo niveli të qeverisjes qendrore, vendore dhe enteve në varësi të tyre”, tha ai.

Në vijim, Shehu tha se “KLSH gjatë veprimtarisë audituese në mënyrë të vazhdueshme ka pasur qasjen që të nxisë transparencën, përgjegjshmërinë, llogaridhënien, forcimin e disiplinës fiskale, rritjen e efikasitetit të menaxhimit dhe përdorimin e fondeve dhe burimeve publike me qëllim ofrimin e shërbimeve të përmirësuara dhe zhvillimin ekonomik të vendit”.

“Duke i kushtuar një vëmendje të veçantë ruajtjes së qëndrueshmërisë në rezultate e arritura, konkretizimit të qëllimeve strategjike, përmirësimit të kuadrit rregullator dhe të metodologjisë, optimizmi dhe kapacitete profesionale, si dhe përmirësimi i kanaleve të komunikimit dhe të bashkëpunimi, veprimtaria e KLSH edhe për vitin 2020 është konkretizuar në tre qëllime strategjike:

“Rritja e impaktit të punës fituese e fokus efektiviteti, eficienca, etika, energjia dhe mjedisi. Optimizimi i kapaciteteve profesionale si dhe funksione të tjera mbështetëse. Përmirësimi i kanaleve e komunikimit dhe të bashkëpunimit, në këtë kuadër, KLSH duke ecur në krah të partnerëve është përpjekur në mënyrë të vazhdueshme për rritjen e profesionalizimit auditues në përshtatje me rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit si dhe modernizimit të institucionit. KLSH ka marrë veprime për të përmirësuar kapacitetin institucional dhe forcimin e ligjit organik”, tha ai.

Ne vijim, Shehu tha se raport me rëndësi të veçantë në institucionin tonë është edhe raporti i Progresit të Komisionit Europian, publikuar në vitin 2020, veçanërisht raporti financiar ku veprimtaria e KLSH-së është vlerësuar në përputhje me standardet e organizuatës ndërkombëtare të auditivit. Raportin e Progresit të KE-së KLSH e ka konsideruar teje të rëndësishëm për ngritjen e kapaciteteve institucionale, auditimin e veprimtarisë së tij me vendet ndërkombëtare të auditimit dhe praktikat më të mira evropiane”.

Sipas Sheut, KLSH ka konstatuar se gjatë 2020 dëmi ekonomik i shkaktuar nga institucionet gjatë 2020 është 17.7 milionë euro.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e institucionit më të lartë të auditimit të jashtëm publik, për vitin 2020 kishte planifikuar gjithsej 143 auditime, ku kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit në 91 subjekte. Ato kanë përfshirë, institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki), drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, etj. Nga këto 14 auditime në institucionet e qeverisjes qendrore, 18 në institucione të vetëqeverisjes vendore dhe njësi të tjera në nivel vendor, 10 autidime në institucione të tjera financiare etj. Rezultatet e punës audituese të vitit 2020 kanë pasur objektiv edhe identifikimin e shkeljeve dhe raportimin e tyre në bazë të klasifikimit si dëm ekonomik dhe si parregullsi/paligjshmëri me efekte negative në financat publike nga subjekteve nën auditim ku parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale 2,193,692 mijë lekë ose 17.7 milionë euro”, tha Shehu.

Fjala e plotë:

I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Kam kënaqësinë dhe përgjegjësinë t’Ju paraqes raportin vjetor të veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2020.

Të gjithë jemi dëshmitarë që viti 2020 ishte një vit i trazuar dhe shumë i vështirë, në një situatë të pazakontë të pandemisë botërore COVID-19, e cila ashtu si në të gjitha institucionet e tjera publike brenda dhe jashtë vendit, ka ndikuar edhe në veprimtarinë institucionale të KLSH-së në tërësi.

Pavarësisht sfidave, Kontrolli i Lartë i Shtetit, si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, i cili auditon në përputhje me Kushtetutën, kuadrin ligjor, rregullator dhe manualet në fuqi, ka marrë të gjitha masat për të vijuar punën pa ndërprerje me përgjegjshmëri dhe rigorozitet duke arritur të plotësojë dhe zbatojë detyrimet kushtetuese.

Edhe gjatë vitit 2020, KLSH si institucion i pavarur, i cili informon në vazhdimësi, dhe në mënyrë të paanshme dhe të plotë Kuvendin e Shqipërisë, i ka përmbushur detyrimet kushtetuese për përcjelljen në afat të Raportit Vjetor të Performancës së institucionit dhe Raportin për Zbatimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2019.

Në funksion të mirëqeverisjes, KLSH-ja ka informuar Kuvendin edhe përmes raporteve të cilat paraqesin rëndësi për taksapaguesit dhe publikun e gjerë. Konkretisht gjatë vitit 2020, Kontrolli i lartë i Shtetit i ka përcjellë Kuvendit të Shqipërisë 66 vendime dhe raporte për auditimet e kryera, si dhe në përmbushje të detyrimeve, KLSH ka informuar Kuvendin e Shqipërisë mbi statusin e implementimit të rekomandimeve të lëna institucioneve të audituara.

Në këtë kuadër, rezultatet e auditimeve të kryera gjatë vitit 2020, kanë evidentuar problematikat e menaxhimit të fondeve, aseteve dhe pasurisë publike, si dhe përgjegjësitë përkatëse nga zyrtarët e çdo niveli të qeverisjes qendrore, vendore dhe enteve në varësi të tyre.
Gjithashtu, KLSH gjatë veprimtarisë audituese, në mënyrë të vazhdueshme ka pasur qasjen që të nxisë dhe të thellojë transparencën, përgjegjshmërinë, llogaridhënien, forcimin e disiplinës fiskale dhe rritjen e efikasitetit në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike me qëllim ofrimin e shërbimeve të përmirësuara dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Duke i kushtuar vëmendje të veçantë ruajtjes së qëndrueshmërisë në rezultatet e arritura, konkretizimit të qëllimeve strategjike, përmirësimit të kuadrit rregullator dhe metodologjik, optimizimit të kapaciteteve profesionale, si dhe përmirësimit të kanaleve të komunikimit dhe bashkëpunimit, veprimtaria e Kontrollit të Lartë të Shtetit edhe për vitin 2020, është konkretizuar në tre qëllime strategjike:

1. Rritja e impaktit të punës audituese me fokus 6E-të (Efektiviteti, Eficienca, Ekonomiciteti, Etika, Energjia dhe Mjedisi);

2. Optimizimi i kapaciteteve profesionale, aftësive audituese, procedurave të punës, logjistikës dhe funksioneve të tjera mbështetëse;

3. Përmirësimi i kanaleve të komunikimit dhe bashkëpunimit.

Në këtë kuadër, KLSH, duke ecur përkrah SAI-eve partnere, është përpjekur në mënyrë të vazhdueshme për rritjen e profesionalizmit auditues, në përshtatje me ritmin e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, si dhe të modernizmit të institucionit.

Për sa i përket përmirësimit të kanaleve të komunikimit dhe bashkëpunimit, përfitoj nga rasti të falënderoj Kuvendin e Shqipërisë për bashkëpunimin në rritje me Kontrollin e Lartë të Shtetit. Në cilësinë e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (dhe të institucionit që unë drejtoj), falenderoj Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, kryetarin e këtij Komisioni, si dhe deputetët anëtarë, për vëmendjen që i kanë kushtuar institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ndihmesës së dhënë në përmirësimin e funksionimit institucional të KLSH-së.

Në përputhje me Strategjinë e Zhvillimit 2018-2022, KLSH-ja ka ndërmarrë veprime për të përmirësuar kapacitetin institucional, si dhe forcimit të ligjit organik.

Raport me rëndësi të veçantë për institucionin tonë është dhe Raporti i progresit të Komisionit Evropian publikuar në tetor 2020 për Kapitulli 32 “Kontrolli Financiar”, ku veprimtaria e KLSH-së është vlerësuar “në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit kuadri kushtetues dhe ligjor parashikon pavarësinë e KLSH-së”.

Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, KLSH-ja e ka konsideruar tejet të rëndësishëm për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin e veprimtarisë së tij me standardet ndërkombëtare të auditimit dhe praktikat më të mira evropiane. Për zbatimin e rekomandimeve që rrjedhin nga ky raport  politikat menaxheriale u sintetizuan në Planin e Veprimit mbi rekomandimet e KE-së për KLSH-në.
Pesë rekomandimet e Raportit të Progresit do të implementohen nëpërmjet përmbushjes së 12 veprimeve konkrete të cilat kanë në fokus:
·       Propozimin e përsëritur të Kontrollit të Lartë të Shtetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e një nënkomisioni parlamentar, pjesë e Komisionit për Ekonominë dhe Financat për shqyrtimin e raporteve të KLSH-së dhe zhvillimin në mënyrë periodike të dëgjesave parlamentare për vlerësimin e veprimeve korrigjuese të ndërmarra nga institucionet e audituar për implementimin e rekomandimeve të KLSH-së;
·       Propozimin e përsëritur të KLSH-së drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi midis dy institucioneve dhe hartimi i një plani konkret pune për rritjen e kontrollit parlamentar për implementimin e rekomandimeve të KLSH-së;
·       Përcjelljen në Kuvendin e Shqipërisë të propozimeve për amendimin e Ligjit nr. 154/2014 “Për funksionimin dhe organizimin e KLSH-së”;
·       Hartimin dhe zhvillimin e një plani specifik trajnimesh, i cili ka në fokus zbatimin e kërkesave të Standardit ISSAI 140 “Kontrolli dhe Sigurimi i Cilësisë” dhe implementimin praktik të Udhëzuesit për Menaxhimin e Cilësisë së Auditimit në kontekstin e implementimit të Rregullores së rishikuar të Procedurave të Auditimit dhe manualeve të rishikuara për auditimet financiare, të përputhshmërisë dhe performancës, si dhe manualit të ri për ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve, dokumente këto të miratuara në qershor 2020;
·       Forcimin e kapaciteteve audituese të KLSH-së për auditimin e kontratave dhe implementimin e PPP nëpërmjet trajnimit të audituesve, hartimit të udhëzuesve të posaçëm për të ndihmuar audituesit në auditimin e PPP-ve dhe rritjen e numrit dhe cilësisë së auditimeve të KLSH-së në vlerësimin e zbatimit të PPP-ve duke e konsideruar këtë si një nga fushat me risk më të lartë për ekonominë shqiptare;
·       Përcjelljen në Kuvendin e Shqipërisë të raporteve periodike dhe raportit të konsoliduar mbi ndjekjen dhe zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së;
·       Krijimin nga ana e Sekretariatit të Përbashkët KLSH-MFE të mekanizmave efektivë për të siguruar rritjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit si pjesë e marrëveshjes së Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë;
·       Kryerjen e trajnimeve në drejtim të njohjes së legjislacionit të prokurimit publik dhe zbatimin e manualit të auditimit të Prokurimeve, si dhe pjesëmarrjen e audituesve të KLSH-së në trajnimet që kryhen nga SAI-t homologe në drejtim të auditimit të prokurimit publik.

Lidhur me rezultatet e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2020 si një vit i vështirë dhe i paprecedentë, ka vijuar puna audituese për përgatitjen e 145 raporteve të auditimit, nga të cilët janë evaduar 73 auditime.

Auditimet e evaduara përbëhen nga 5 auditime financiare me dhënie opinioni, 28 auditime përputhshmërie, 16 auditime rregullshmërie, 11 auditime tematikë, 9 auditime performance dhe 4 auditime të Teknologjisë së Informacionit.

Puna audituese është përqendruar kryesisht në fushat për të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar një nivel të lartë risku në të tre komponentët e buxhetimit: programim, ekzekutim dhe raportimi i treguesve fiskalë.

Auditimet e kryera nga KLSH kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit ekonomik dhe financiar në 91 subjekte si institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki), drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, fonde speciale, si dhe shoqëri aksionare me kapital shtetëror, në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj.

Janë evaduar auditimet e ushtruara në 76 subjekte, rezultatet e të cilëve kanë evidentuar shkelje me efekte të konsiderueshme në buxhetin e shtetit, lidhur me administrimin e të ardhurave; menaxhimin joefektiv në përdorimin e fondeve publike; keqadministrimin e pronës shtetërore, e ndjekur nga paligjshmëritë në realizimin e procedurave të prokurimit publik dhe zbatimin e kontratave.

Duhet theksuar se me gjithë vështirësitë objektive të krijuara nga situata e pandemisë, KLSH është përpjekur maksimalisht të ruajë trendin në rritje të peshës specifike të auditimeve financiare dhe atyre të performancës ndaj totalit të auditimeve.

Kështu në vitin 2020 janë dhënë opinione financiare për 22 % të auditimeve nga 16 % në vitin 2019. Në 16 auditimet e përputhshmërisë dhe rregullshmërisë klasifikuar si auditime të kombinuara janë dhënë opinione për pasqyrat financiare dhe përputhshmërinë për 12 auditime. Në këtë mënyrë KLSH synon zbatimin në vazhdimësi të rekomandimit të Komisionit Evropian në Raportet e Progresit për Shqipërinë për rritjen e përqindjes së auditimeve financiare dhe të përformancës ndaj llojeve të tjera të auditimeve.

Rezultatet e punës audituese të vitit 2020 kanë pasur objektiv dhënien e rekomandimeve për përmirësimin e gjendjes së institucioneve të audituara nëpërmjet masave organizative, si dhe identifikimin e shkeljeve me pasoja dëm ekonomik dhe/ose parregullsi/paligjshmëri me efekte negative në financat publike. Ndër treguesit kryesorë të performancës së aktivitetit të KLSH-së, për vitin 2020 përmendim:

ü Adresimin në total prej 1430 rekomandimeve, nga të cilat: 29 janë propozime për përmirësime ligjore, 1107 masa organizative, dhe 294 rekomandime për masa disiplinore dhe administrative.
ü Shkelje me pasojë dëm ekonomik – Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale rreth 2.2 miliardë lekë ose rreth 17.7 milionë euro.
ü Parregullsitë dhe paligjshmëritë me efekte negative – Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën 85.9 miliardë lekë (ose afërsisht 694.1 milionë euro) nga e cila: 11.4 miliardë lekë në fushën e të ardhurave (ose afërsisht 91.9 milionë euro), dhe 74.5 miliardë lekë (ose afërsisht 602.2 milionë euro), në fushën e shpenzimeve.
Parregullsitë dhe paligjshmëritë e konstatuara, i referohen përdorimit të fondeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet në fushën e prokurimit publik shoqëruar me mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit, të cilat në shumë raste rezultojnë të realizuara jo në përputhje me kuadrin ligjor. Një zë i rëndësishëm janë edhe shkeljet e disiplinës buxhetore në likuidimin e faturave për shpenzime/investime, keqmenaxhimin e fondeve të programuara, të cilat është shoqëruar me krijimin e detyrimeve të prapambetura.
ü Edhe për vitin 2020 KLSH ka ruajtur traditën e përllogaritjes së Indikatorit të Dobisë, si një tregues, i cili përdoret në disa prej SAI-eve. Ky indikator në vitin 2020 ka rezultuar 6.2. Si një tregues empirik përgjatë vitit 2020 nuk është përfaqësues për punën e kryer nga KLSH për vetë faktin se treguesi i dobishmërisë përfaqëson indikatorin e aplikuar vetëm mbi rezultatet e raporteve të evaduara, pavarësisht gjithë punës audituese të kryer në terren brenda vitit 2020 dhe të shtyrë për shkak të rrethanave të shkaktuara nga Covid-19.
Sa i takon menaxhimit të financave publike, edhe gjatë vitit 2020 KLSH ka vijuar të sjellë në vëmendje, risqet e identifikuara për miradministrimin e financave publike dhe zbatimin e kontrolleve të parashikuara të disiplinës fiskale. Nëpërmjet rekomandimeve të lëna, KLSH ka kërkuar adresimin e menjëhershëm dhe të kujdesshëm të mbajtjes në kontroll dhe monitorim të treguesve fiskalë dhe makro-ekonomikë, më konkretisht:

1.     Në lidhje me raportimin e nivelit të defiçitit për vitin 2019 i cili nga auditimi rezultoi i nënvlerësuar si rrjedhojë e mosfinancimit të bonove të thesarit për mbulimin e humbjeve nga rivlerësimi i rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë në vlerën 6.8 miliardë lekë, ose rreth 0.4% e PBB-së;
2.     Në lidhje me planifikimin më të drejtë të të ardhurave tatimore sipas zërave të vecantë dhe shpërndarjes së tyre në rajone në korelacion me grup-tatimpaguesit, kapacitetet dhe zhvillimet rajonale.
3.     Në lidhje me një vlerësim më relevant dhe transparent të impaktit në të ardhurat tatimore i ndryshimeve të parashikuara në legjislacionin tatimor, në përputhje me parimet dhe rregullat fiskale. Kjo për t’i dhënë kohën e duhur për informim dhe sqarim tatimpaguesve që preken nga këto ndryshime, për të siguruar në vijim vlefshmërinë dhe saktësinë e deklarimeve tatimore.
4.     Edhe këtë vit kemi sjellë në vëmendje faktin se procesi i buxhetimit, veçanërisht për shpenzimet për investime, nuk është kredibël dhe i qëndrueshëm referuar kjo numrit të lartë të rishikimeve buxhetore që ai pëson gjatë gjithë vitit ushtrimor, i legjitimuar më pas me Akte Normative, shkak edhe për krijimin e detyrimeve të prapambetura.
5.     Mbi saktësinë e raportimit të detyrimeve të prapambetura të cilat në vlerësimin e KLSH-së, rezultuan të paktën 24.4 miliardë lekë nga rreth 17 miliardë lekë sipas raportimeve të MFE, përfshirë këtu dhe diferencat në raportimin e detyrimit për stokun e TVSH-së së rimbursueshme, i cili në vlerësimin e KLSH-së rezultoi 14.8 miliardë lekë, nga 11.2 miliardë lekë të raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
6.     Në lidhje me zbatimin e shpenzimeve buxhetore, rezultuan raste kur procedurat e prokurimit ishin zhvilluar përtej nevojave të planifikuara dhe pa fonde buxhetore disponibël apo të papërfshira në programin buxhetor afatmesëm edhe në Ligjin e Buxhetit, shoqëruar me mangësi në procedurë dhe afate.
7.     Në mënyrë të veçantë, edhe këtë vit, KLSH-ja ka audituar shpenzimet dhe detyrimet për vendimet gjyqësore për largime të padrejta nga puna, dhe ka theksuar përsëri rëndësinë e trajtimit të plotë të përgjegjësive në lidhje me vendimmarrjen me kosto financiare të largimit nga puna të nëpunësve publikë, në të njëjtën linjë me kërkesën e vazhdueshme për hartimin dhe miratimin e ligjit “Për përgjegjësinë materiale”.
8.     Sa i takon të ardhurave të papërdorura dhe të trashëguara për njësitë e vetëqeverisjes vendore, nga auditimi u konstatua një deviacion në raportim prej 5.2 miliardë lekë, ku devijimi më i madh i takon të dhënave të Bashkisë Tiranë.

Në lidhje me auditimet financiare, veprimtaria audituese e KLSH-së gjatë vitit 2020, është kryer në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit Financiar (ISSAI 2000-2899), si dhe Manualit të auditimit financiar, i cili gjithashtu është rishikuar dhe do të nisë zbatimin e plotë gjatë vitit 2021.
Gjatë vitit 2020, KLSH-ja ka kryer dhe evaduar 5 auditime financiare ose 7% ndaj totalit të auditimeve të evaduara, për të cilat janë dhënë 2 opinione të kualifikuar, 1 i pakualifikuar, 1 me theksim të çështjes dhe 1 opinion i kundërt.

Nga këto auditime rezulton se vijon mungesa e rakordimeve të plota në vlerat e raportuara në pasqyrat financiare të njësive publike nga ato të rakorduara me degën e thesarit; konstatohen keqklasifikime të shpenzimeve sipas natyrës; pasaktësi në regjistrimin e aktiveve të qëndrueshme dhe të inventarëve për shkak të mungesës së evidencës kontabël; moskontabilizim dhe raportim i plotë dhe i saktë i të drejtave dhe detyrimeve, sidomos ato që rrjedhin nga vendimet e formës së prerë të gjykatave.

Gjatë viti 2020, KLSH-ja ka kryer 28 auditime përputhshmërie nga të cilat, vetëm për 3 subjekte është dhënë opinion i pakualifikuar.
Në 12 auditime opinioni ka qenë i kualifikuar, për shkak se konstatimet dhe devijimet nga kuadri rregullator sipas gjykimit të audituesve kanë qenë materiale por jo të përhapura. Ndërsa në auditimin e 10 subjekteve konstatimet dhe devijimet nga kuadri rregullator nën të cilin zhvillohet aktiviteti i tyre kanë rezultuar jo vetëm materiale, por dhe të përhapura duke justifikuar opinionin e kundërt të përputhshmërisë.

Ndër problematikat e konstatuara përmendim:
ü Problematikat në fushën e prokurimeve në lidhje me përllogaritjen e fondit limit, tipin e kontratës dhe procedurës së zgjedhur, në hartimin e dokumenteve të tenderit dhe kritereve për kualifikim.
ü Problematika në fushën e zbatimit dhe ekzekutimit të kontratës deri në marrjen në dorëzim të punimeve.
ü Marrja e angazhimeve buxhetore në mungesë të fondeve disponibël në Thesar.
ü Mungesë e sistemeve efektive të kontrollit në pothuaj të gjithë njësitë publike;
ü Mungesë eficience dhe efektiviteti në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe marrëdhënieve të punës me impakt kosto financiare shtesë për buxhetin e shtetit.

KLSH, duke qenë në sinkron dhe në zbatim të rekomandimeve të Komisionit Evropian për auditimin e jashtëm të sektorit publik të viteve të fundit ka synuar rritjen e përqindjes së numrit të auditimeve të performancës ndaj auditimeve gjithsej. Kështu gjatë vitit 2020 janë kryer dhe evaduar 9 auditime performance të kryera në 28 subjekte, të cilat përfaqësojnë 12.5 % të auditimeve gjithsej, kundrejt 11.4 % në vitin 2019.

Këto auditime janë orientuar në 4 shtylla si:

I.             Reformat qeveritare me auditimet:
–              Efektiviteti i koordinimit ndërinstitucional në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE për periudhën 2016-2019;
–              Ecuria e borxhit tatimor.

II.            Projektet & shërbimet social-ekonomike me auditimet:

–            Efektiviteti i politikave në lëvizjet migratore të popullsisë;
–            Sistemi i menaxhimit të shërbimit shëndetësor në institucionet e arsimit    parashkollor;
–            Efektiviteti i shërbimit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale;
–            Efektiviteti i procesit të deinstitucionalizimit dhe decentralizimit të shërbimeve shoqërore me fokus fëmijët jetim.

III.           Projektet infrastrukturore me auditimin:
–              Menaxhimi i transportit hekurudhor në Shqipëri.
IV.          Projektet mjedisore & energjetikë me auditimet:
–              Eficienca e energjisë;
–              Ndotja e menjëhershme e Jonit dhe Adriatikut.

Në përfundim të këtyre 9 auditimeve performance janë lënë gjithsej 200 rekomandime nga të cilat, nga pikëpamja e 3E-ve janë adresuar 43 rekomandime për eficiencën dhe 157 rekomandime për efektivitetin.

Auditimet e performancës të cilat KLSH ka kryer gjatë këtij viti kanë pasur për qëllim evidentimin e nevojave për hartimin dhe zbatimin e strategjive, plotësimin dhe përditësimin e kuadrit ligjor e rregullator, përmirësimin e aktiviteteve të subjekteve të audituara sipas praktikave më të mira bashkëkohore ndërkombëtare.

Gjithashtu, gjatë vitit 2020 janë evaduar edhe auditime në fushën e Teknologjisë së Informacionit.
Konkretisht:
§  Auditimi i Sistemeve të Teknologjisë së Informacionit, në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM),
§  Auditimi i teknologjisë së informacionit në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile,
§  Auditimi i Sistemeve të Teknologjisë së Informacionit në Ujësjellës Kanalizime Fier Sh.A. dhe
§  Auditimi i Teknologjisë së Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Katastrofat natyrore që ndodhën në fund të vitit 2019 si dhe gjatë gjithë vitit 2020 bënë që fokusi i punës audituese të kësaj fushe krahas zbatimit të planit të përqendrohet në planifikimin e auditimit të subjekteve me rol në:

(i)     Mbledhjen e të dhënave, përpunimit të tyre, ndërveprimin me të dhëna të ruajtura në sisteme të tjera në nivel lokal e kombëtar; dhe
(ii)   Identifikimin e risqeve dhe vlerësimi dhe hartimi i planeve për minimizimin e tyre me objektiv uljen e kostos njerëzore dhe financiare.

Nga auditimet e IT-së ka rezultuar se, identifikimi dhe administrimi i elementëve kritikë në ofrimin e shërbimeve dhe garantimin e sigurisë së të dhënave si dhe vazhdimësisë në ofrimin e shërbimit nëpërmjet teknologjisë së informacionit në sistemet e subjekteve të audituara është i pamjaftueshëm dhe mbart risqe të larta në mbarëvajtjen e funksionaliteteve të ndërtuara, në shërbim të qëllimit dhe objektivave institucionale.

Lidhur me vëmendjen që institucioni ka në luftën kundër korrupsionit sa i përket kallëzimeve penale dhe proceseve gjyqësore, rezultoi se gjatë vitit 2020 KLSH ka dërguar në organin e prokurorisë 8 referime penale, për 12 drejtues të nivelit të lartë, të mesëm dhe specialist. Gjatë kësaj periudhe KLSH është angazhuar në 95 procese gjyqësore, nga të cilat 24 procese gjyqësore me karakter penal, 59 procese gjyqësore me karakter administrativ dhe 14 procese gjyqësore me karakter civil.
Në kuadër të proceseve gjyqësore, KLSH ka insistuar në mënyrë proaktive dhe sistematike në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve, arkëtimit të dëmit dhe parandalimit të efekteve negative financiare. Vlen të theksohet se gjatë vitit 2020 janë të shumta vendimet gjyqësore të cilat konfirmojnë rekomandimet e lëna nga KLSH në subjektet e audituar. Për rrjedhojë, gjykatat e shkallës së parë në 21 vendime të dhëna kanë konfirmuar rekomandimet e gjetura nga KLSH në auditimet e zhvilluara, nga të cilat, deri tani 4 prej tyre kanë marre formën e prerë dhe janë konfirmuar nga Gjykatat e Apelit.

Gjatë vitit 2020, KLSH ka nënshkruar 3 marrëveshje bashkëpunimi përkatësisht:
1.     Me Prokurorinë e Përgjithshme, për intensifikimin  e luftës kundër veprave penale të kryera nga punonjësit e administratës publike në Shqipëri.
2.     Me Prokurorinë e Posaçme, për forcimin e luftës kundër fenomenit të korrupsionit në administratën publike, ku kemi shprehur vullnetin tonë për një bashkëpunim  në lidhje me shkëmbimin e informacioneve me qëllim evidentimin e saktë të shkeljeve që përmbajnë elementë të veprave penale.
3.     Gjithashtu është nënshkruar mes KLSH dhe Qeverisë Zvicerane projekti mbi  “Forcimin e auditimit të jashtëm lidhur me mbikëqyrjen e Koncesioneve  dhe Partneriteteve Publik-Privat”. Objektivi kryesor i këtij projekti është rritja e kontributit të KLSH-së për të forcuar llogaridhënien qeveritare dhe transparencën në përdorimin e fondeve publike, përmes auditimeve më profesionale dhe gjithëpërfshirëse të koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat.

Bashkëpunimi i KLSH-së në luftën kundër korrupsionit për vitin 2020 krahas nënshkrimit të marrëveshjeve specifike të bashkëpunimit, është intensifikuar nëpërmjet marrëdhënieve të bashkëpunimit me institucionet ligj-zbatuese si Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria Speciale, Byroja Kombëtare e Hetimit,  SPAK etj.

Ngritja dhe forcimi i kapaciteteve institucionale ka vijuar duke u mbeshtetur në trajnimin e audituesve, konsideruar nga KLSH si një proces investimi strategjik i kohës, energjisë dhe burimeve, në përmirësimin e kapaciteteve audituese. Gjatë vitit 2020, për shkak të situatës së shkaktuar nga Covid-19, trainimet nga institucioni apo nga partnere brenda dhe jashte vendit janë përshtatur dhe ofruar nëpërmjet platformave online, me qëllim përmbushjen e objektivave në lidhje me zhvillimin profesional.

Kanë vazhduar marrëdhëniet e KLSH me SAI-et partnere dhe me OJF-të për 20 aktivitete dhe 28 pjesëmarrës me prezencë fizike në takime dhe trajnime, e mundur vetëm në dy muajt e parë të vitit 2020 dhe më pas me mënyra të tjera alternative të komunikimit duke kaluar në zhvillimin e këtyre aktiviteteve online. KLSH ka qenë pjesëmarrëse në grupet e punës së Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit-EUROSAI për auditimet IT, të Mjedisit, të Bashkive, Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat, si dhe në Projektin “Forcimi i mbikëqyrjes së kontratave të koncesionit dhe partneritetit publik-privat (PPP) në Shqipëri financuar nga SECO Zvicerane; aktivitetet me SIGMA etj.

Gjatë vitit 2020, KLSH i ka kushtuar vëmendje të veçantë çështjeve të komunikimit dhe të transparencës.

Gjatë këtij viti, Kontrolli i Lartë i Shtetit është përpjekur të rrisë influencën dhe impaktin e auditimeve, duke zgjeruar bazën e përdoruesve, në mënyrë që gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e auditimeve, t’i shërbejnë në mënyrë cilësore (qytetarit, publikut, palëve të interesuara), duke përdorur kanalet më efektive të komunikimit.
Komunikimi i suksesshëm me palët e interesit është realizuar nëpërmjet rritjes së profilit publik të KLSH-së dhe të kuptuarit të misionit, vizionit dhe rolit të tij në shoqëri, me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve tek institucioni.

Komunikimi dhe bashkëpunimi me median vijon me të njëjtën frymë dhe intensitet duke rritur në këtë mënyrë transparencën e veprimtarisë së KLSH-së.

Edhe angazhimi i KLSH-së në aktivitete dhe botime për vitin 2020 nuk është ndërprerë ndonëse lindi nevoja e përshtatjes me rrethanat e krijuara nga pandemia. Në këto kushte, 6 botimet e KLSH-së, janë të publikuara në faqen zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit në versionin online, gazeta online, botime për COVID, etj.

Përmirësimi i kuadrit ligjor me qëllim forcimin e pavarësisë reale të KLSH-së, është jo vetëm një kërkesë organike e KLSH-së, por gjithashtu ka ardhur edhe si një rekomandim i vazhdueshëm i ekspertëve ndërkombëtarë.

Gjatë vitit 2020 në kuadër të procesit të rishikimit dhe përditësimit tërësor të metodologjive dhe udhëzuesve specifikë mbi të cilat bazohet auditimi publik janë miratuar ndryshimet për Manualet e Auditimit financiar, atij të Përputhshmërisë, të Performancës, si dhe Manualit për Ndjekjen dhe Zbatimin e Rekomandimeve.
Gjatë vitit të shkuar ka filluar gjithashtu edhe pilotimi i këtyre manualeve, proces që po vijon edhe për vitin 2021, për të garantuar një informacion më të hollësishëm lidhur me cilësinë e punës audituese.

Bazuar në nivelin e treguesve të Kornizës së Matjes së Performancës së një Institucioni Suprem Auditimi, (dokument i miratuar si standard ISSAI në Kongresin e XXII të INTOSAI-t), rezulton se, objektivat e përcaktuara në Strategjinë e Zhvillimit 2018-2022, për 3-vjeçarin 2018-2020 janë realizuar në nivelin relativ prej 80 %.
Viti 2020, shënon vitin e tretë në procesin e zbatimit dhe monitorimit të Strategjisë së Zhvillimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (SZHI), për periudhën 5-vjeçare 2018-2022.
Korniza e Matjes së Performancës është përdorur si një mjet për vetëvlerësimin e KLSH-së, për të identifikuar fushat ku janë të nevojshme përmirësimet dhe mënyrën se si mund të ndërhyet me qëllim ndërtimin e kapaciteteve për të mundësuar dhe mbështetur punën e saj.

KLSH, bazuar në Strategjinë e Zhvillimit 2018 -2022, për vitin 2021 mban në konsideratë dhe ka për objektiva, krahas të tjerave:

1. Kryerja e auditimeve në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit, si dhe duke përdorur metodën mbi bazë risku, si qasja më efektive e auditimit;
2. Fokusi në rritjen e peshës specifike të auditimeve financiare dhe auditimit të performancës ndaj auditimeve gjithsej;
3. Cilësia e auditimit si prioritet i KLSH-së, përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë dhe i procedurave përkatëse;
4. Zbatimi i standardeve profesionale nëpërmjet zhvillimit të metodologjive dhe standardeve të aplikueshme në përputhje me praktikat më të mira;
5. Nxitja dhe promovimi i vlerave të larta profesionale të audituesve nëpërmjet kultivimit të kulturës të të mësuarit në vijimësi, si dhe ruajtja dhe forcimi integritetit si vlerë themelore e KLSH;
6. Forcimi i ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve, rritja e nivelit të rekomandimeve të pranuara dhe të zbatuara;
7. Rritja e impaktit të raportimeve nëpërmjet rritjes së përdoruesve të produkteve të KLSH-së;
8. Thellimi dhe shtrirja e bashkëpunimit me institucionet e tjera.

Duke ju falënderuar edhe njëherë për vëmendjen që Kuvendi kushton ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit, e cila dëshmohet më së miri dhe me mbajtjen e kësaj interpelance, përsëris në mënyrë të vazhdueshme nevojën dhe kërkesën e institucionit tonë për ngritjen e një nënkomisioni parlamentar, pjesë e Komisionit për Ekonominë dhe Financat për shqyrtimin e raporteve të KLSH-së dhe zhvillimin në mënyrë periodike të dëgjesave parlamentare për vlerësimin e veprimeve korrigjuese të ndërmarra nga institucionet e audituara për implementimin e rekomandimeve të KLSH-së.

I nderuar Zoti Kryetar,
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

KLSH po vijon dhe do të vijojë për periudhën e mbetur të këtij viti, të kryejë auditime profesionale bazuar në parimin e integritetit si dhe në zbatim të kuadrit ligjor kombëtar, korpusit të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit të INTOSAI-t dhe praktikave më të mira të fushës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: