Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin në lidhje me rastin e njohur si “AlbKings” dhe ka dënuar Florent Poroshticën, një nga menaxhuesit e këtij grupi, me 21 muaj burgim dhe një gjobë prej 5,000 euro.
Sipas njoftimit të gjykatës, Poroshtica u shpall fajtor për vjedhjen e identitetit dhe kredencialeve, si dhe për shantazh. Dënimi i tij do të ekzekutohet brenda 15 ditëve nga kur aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm. Gjithashtu, koha që ai ka kaluar nën paraburgim dhe nën masën e arrestit shtëpiak do të llogaritet në dënimin e tij.
Gjykata gjithashtu ka urdhëruar konfiskimin e telefonit “Techno Park” dhe kthimin e një telefoni “Samsung” të dëmtuar. Në përshkrimin e aktgjykimit, gjykata thekson se Poroshtica, duke përdorur telefonin e tij personal, ka shpërndarë dhe lejuar shpërndarjen e fotografive dhe videove të ndjeshme të viktimave, kryesisht gra, si dhe të dhënave personale të tyre, pa lejen e tyre. Ai ka kërkuar gjithashtu para për të fshirë këto postime dhe për të ndihmuar në fshehjen e tyre.
Në periudhën mes shkurtit dhe majit 2024, Poroshtica ka kërkuar para nga viktimat dhe familjet e tyre, për të ndaluar shpërndarjen e materialeve denigruese. Pagesat janë bërë në formë kripto valutash, të cilat ai i ka konvertuar në para fizike.
Përveç dënimit me burgim dhe gjobë, ai është urdhëruar të paguajë 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 20 euro për fondin e viktimave të krimit. Palët e pakënaqura mund të apelojnë vendimin në Gjykatën e Apelit të Kosovës.