180 minuta larg, ende dy ndeshje për të festuar më në fund titullin në Angli. Arsenal vuan jashtëzakonisht shumë përballë West Ham, qëndruan me zemër në dorë deri në minutën e 95-të, ku për fat ishte VAR ai që i dhuroi fitoren. Pep Guardiola i bëri thirrje West Ham që të ndalin Arsenal në derbi, ishin shumë pranë, por në fund Arteta dhe të besuarit e tij festuan pas suksesin 0-1, një fitore që i afron gjithnjë e më shumë me titullin kampion.

Si një derbi, Arsenal-West Ham luftuan fort për çdo top, kjo edhe për faktin se “çekanët” rrezikojnë rënien nga kategoria. “Topçinjtë” ishim më kërkues në pjesën e parë, duke iu afruar golit të avantazhit në të paktën dy raste të pastra, por bëri pjesën e tij në këtë derbi edhe portieri Raya. Në fraksionin e dytë, në minutën e 79-të, gardiani i Arsenal ndali një rast flagrant ku i vetëm përballë Mateus Fernandes mbajti “topçinjtë” në lojë, në Angli kjo pritje e Raya u konsiderua si pritja e titullit. Më në fund, pas disa përpjekjeve, në minutën e 83-të, Trossard me një goditje të fortë brenda në zonë dërgoi topin në rrjetë duke bërë që Arteta dhe tifozët e Arsenal të shpërthenin në festë. West Ham jo vetëm që nuk u dorëzua, por besuan deri në frymën e fundit, madje arritën të gjenin edhe golin, por me ndihmën e sistemit VAR, gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për faull në sulm ndaj portierit Raya. Falë këtij suksesi, Arsenal ruan diferencën prej 6 pikësh me Man.City, por “qytetarët” e Pep Guardiola-s kanë një ndeshje më shumë në dispozicion. Në dy javët e fundit, Arsenal mjafton të triumfojë ndaj Burnley dhe Crystal Palace për të siguruar titullin e shumë pritur.

Mikel Arteta pas ndeshjes nuk nguroi t’i thurte elozhe edhe gjyqtarit të takimit për atë vendim të guximshëm: “E sigurt është që këtë ndeshje do ta kujtoj gjatë, kishte një miks të fortë emocionesh. E dinim që do të ishte e vështirë, ne po luftojmë për titullin, por të mos harrojmë, ata po luftojnë për mbijetesë. Anulimi i golit? Unë, kur arbritrat kanë qenë për të kritikuar e kam bërë. Këtë herë më duhet t’i bëjë komplimente, duhej guxim dhe personalitet për të anuluar atë gol. Imazhet falsin qartë, ishte faull dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim”, u shpreh Arteta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb