TIRANË- Ish ministri i Drejtësisë së PD, Ilir Rusmali rikthehet në fushën e drejtësisë por këtë herë si ekspert i pavarur, i përzgjedhur nga qeveria dhe më saktësisht nga ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Ilir Rusmali ka marrë dje pjesë në takimin e ekspertëve të zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit në rolin e ekspertit të përzgjedhur nga qeveria.

Në fakt, përzgjedhjen për ish ministrin e Berishës, ministri Manjani e kishte bërë një muaj më parë gjatë një emisioni televiziv ku publikisht tha se kjo vendimmarrje vjen në vlerësim të karrierës së gjatë dhe profesionalizimit të Rusmalit në fushën e drejtësisë. Takimi i parë i ekspertëve dje në ambientet e kryesisë ku do diskutohej në nivel teknik raporti paraprak i Komisionit të Venecias dështoi, ndërsa ekspertët e opozitës thanë se u gjendën të befasuar pasi në takim u paraqit një draft i pakonsultuar.

“Ndodhemi para një befasie, në tryezat e grupit të ekspertëve u hodh një draft i amendamenteve kushtetuese, përgatitur jashtë këtij grupi ekspertësh, siç duket replikuar edhe njëherë, historia procedurale e mëparshme, ku një grup ekspertësh përgatisin draf amendamente sipas optikës së tyre, që në këto raste nuk është optika e të gjithëve. Kjo ishte arsyeja kryesore pse tryeza zgjati 2 orë. Unë këmbëngula sëbashku me kolegun që puna për reformën të fillojë sa më parë. Madje edhe propozova që mbledhja e parë, ngjarja e parë pas draft opinionit të Venecias të jetë nesër. Nuk u pranua, u la që diku nga fillimi i janarit në datë 4 janar të vazhdojë me seancën tjetër. Por kjo gjë nuk i shërben një lloj sinqeriteti, një lloj konsensusi teknik mes teknikësh, apo po të doni edhe një lloj konsensusi politik, që produkti nga ky moment e tutje, konvertimi i të gjitha rekomandimeve të Komisionit të Venecias të bëhet nga të gjithë ekspertët”, tha Alibeaj.

Në takim, PS u përfaqësua nga ekspertët Sokol Sadushi dhe Gent Ibrahimi, PD me ekspertët Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi ndërsa ministri i Drejtësisë ka caktuar dy ekspertët Ilir Rusmali e Krenar Loloci.

Ilir Rusmali ka drejtuar për një kohë të gjatë Komisionin e Ligjeve. Ai nuk fitoi dot në zgjedhjet parlamentare të 2013 i vendosur i 17-ti në listën e PD. Që prej asaj kohe ai punon privat si avokat, ndërsa rikthehet tani si ekspert i qeverisë së majtë në procesin e reformës në drejtësi. Tryeza e radhës e ekspertëve për reformën në drejtësi u la në 4 janar të vitit 2016.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: