Nga: BUJAR VANI*
Në tregun e madh të mallrave, ideve, qeverisjeve (qendrore e vendore), politikave e politikanëve, OJQ-ve e OJQ-istëve, krijimeve e antikrijimeve, që qarkullon e sundon mjedisin e shoqërisë shqiptare, në një vështrim të shpejtë e të përgjithshëm, të ngjan në sintezë të fundit se, ndryshe nga ç’përfytyrohet dhe konceptohet “tregu” në përgjithësi, ku produkti është shkaku dhe reklama rrjedhojë e tij, këtu mbizotëron reklama edhe kur produkti është i munguar. Me fjalë të tjera, nëse reklama është “shpikur” dhe amplifikuar për të rritur efektivitetin në treg, gjithmonë si shoqërues dhe valorizues i produktit, për habi vërehet se ndër ne janë këmbyer vendet dhe reklama është qëllimi në vetvete, ndërsa produkti ose është derivat i saj, ose mungon krejt! Ky konkluzion më së shumti është krijuar nën ndikimin e ngjarjeve “kulturore” e aksioneve politiko-kulturore që na kanë “bombarduar” me mjaft pompozitet kohëve të fundit, por mund të shtrihet vështrimi edhe në sfera të tjera të veprimtarisë shoqërore, apo në aspekte të tjera të politikës, ekonomisë e tregut në përgjithësi. Gjithsesi, fokusi ynë në këtë rast i merr shtysat pikërisht në rrafshin e kulturës dhe të politikave kulturore, duke rezonuar për analogji edhe në drejtime të tjera më të përgjithshme.
Si shëmbëllim në miniaturë e spartakiadave të famshme masive të dikurshme, pak ditë më parë u organizua veprimtaria e “ditës së biçikletave”, ku me qindra fëmijë e të rinj, e bashkë me ta edhe kryetari i bashkisë, protagonist i organizimit, lodronin majë biçikletave të hareshëm nën bubullimat shurdhuese të disa bokseve e altoparlantëve ndër skena të improvizuara, shumica të gëzuar se kishin pasur një ditë pushimi nga shkolla! Disa dhjetëra metra më tej kësaj hareje njëditore, trafiku i rrëmujshëm ishte më stresant se çdo ditë tjetër. Reklama e veprimtarisë padyshim mbushi ekranet, thirrjet sensibilizuese për një “Tiranë pa makina” dukeshin të sinqerta, qëllimi dukej i mbarë dhe vizionar, por… të nesërmen e asaj dite biçikletaxhinjtë u gjendën përsëri në hall: makinat sunduan përsëri Tiranën, stresi i zhurmave dhe ndotjes shkoi në normalitetin e vet anormal. Pra, produkti në këtë rast u ngjan atyre qeseve e letrave të ambalazhit të hedhura andej-këndej përtokë pas një dreke pikniku në ajër të pastër, ndërsa hareja reklamative u shua po të nesërmen e asaj dite. Po kostoja? E kush pyet për kostot kur është fjala për reklamë?! Po efekti? Edhe njëherë u konfirmua se pushtetarët tanë, e në këtë rast kryebashkiaku i Tiranës, ende nuk dinë se ku mbaron funksioni OJQ-ist dhe ku fillon detyra e pushtetarit. Në krye të “Mjaft”-it veprimtaria mund të quhej e përmbushur me sukses, edhe aksioni reklamativ i qëllimshëm dhe sensibiluzes, por në krye të bashkisë ajo mund të konsiderohet thjeshtë një butafori e aksion propagandistik, pasi detyra funksionale e tij është puna konkrete, rendimenti dhe efektiviteti i saj në favor të jetesës qytetare, masat që merren për realizimin e punëve bashkiake, e jo reklama e asaj që dëshirohet edhe mbetet virtuale për qytetarët.
U zgjatëm disi në këtë “ngjarje të kulturës qytetare” jo se ky ishte qëllimi i shkrimit në fjalë, por se shërben si shkas për të shtjelluar më tej refleksionin mbi reklamat pa produkt. Kështu, duke e shtrirë vështrimin më tej në veprimtari të tjera të kësisojshme, nuk mund të mos ndalemi te disa ngjarje të tjera “kulturore” të reklamuara për fat të keq edhe nga ministritë e linjës si nisma madhore: Bunkeri “Lubonja-Isufi”, ‘Bunk Arti’, ‘Shtëpia me gjethe’, bunkeri butaforik pas Ministrisë së Brendshme, ekspozita “Antihomazh” etj.
– Bunkeri “Lubonja-Isufi”, i vendosur në lulishten krah godinës së Kuvendit të Shqipërisë, kundruall një kërpudhe të madhe dhe “tendës së një pike karburanti” përbri dhe në ballore të Kryeministrisë, i shoqëruar nga disa armatura minierash apo llogoresh, u reklamua si një ndër veprat e reja të artit, që do të “mobilonin” mjedisin publik të kryeqytetit në bulevardin e madh. Natyrshëm që objekte të tilla kanë karakter përkohshmërie, pra produkt pa efektivitet, produkt konsumi. Por, reklama iu bë e bujshme, pasi kërkon të simbolizojë (apo të përkujtojë!) një sistem që sot është në modë të anatemohet edhe në kësisoj mënyrash. Gjithsesi, duket se qëllimi dhe efekti i këtij bunkeri është thjeshtë reklamativ, apo më mirë të themi propagandistik. Nuk i hyjmë çështjes së kostove, pasi ato të trembin kur merren përsipër nga institucionet e shtetit…, por mbetemi tek produkti. Asesi një vepër propagandistike nuk ka jetë të gjatë, pra edhe në këtë rast produkti është… reklama.
-Me shifra marramendëse kostoje, u përurua paradokohe ‘Bunk Arti’, edhe ky po në modelin e propagandës dhe të reklamës, demaskim i regjimit që shkoi me efekt të përkohshëm dhe butaforik. Në një gjykim të ftohtë, ai bunker që do të shërbente në kohë gjendjesh të jashtëzakonshme për drejtimin e shtetit, nuk përbën asnjë shenjë apo simbol sistemi, pasi në të gjitha sistemet vepron ky mekanizëm. Në cilin shtet vallë nuk ka objekte të tilla strehuese dhe mbrojtëse për krerët e shtetit dhe për drejtimin e ushtrisë në kohë emergjence?! Çfarë produkti kulturor, trashëgimor, estetik apo utilitar i është dhënë në këtë rast shoqërisë, e çfarë do të mbetet pas kremtimeve dhe reklamës së bujshme mediatike me rastin e përurimit? Padyshim vetëm kostoja e çuar dëm (që u tha diçka tek një milion eurot!) e cila mund të ishte shpenzuar më me efektivitet në aspekte të tjera më produktive të artit dhe të kulturës të lënë në pikë të hallit. Ndoshta me ato fonde mund të ishin ngritur bustet apo monumentet e atyre “fakirëve”, që sakrifikuan apo i dhanë identitet kësaj shoqërie apo këtij shteti! Ndoshta me ato fonde do të ishin subvencionuar mjedise veprimtarish artistike apo vepra të tjera arti e krijimtarie letrare. Ndoshta… por propaganda e ngritur në qëllim, reklama që zëvendëson rolin e produktit edhe në këtë rast triumfoi.
– E njëjta gjë mund të thuhet edhe për “Shtëpinë me gjethe”, e cila edhe ajo përthithi një shumë të majme fondesh (donacione apo shtetërore pak rëndësi ka). Me një mur rrethues të shkarravitur bukur në anglisht, me disa meremetime sipërfaqësore, ajo u reklamua si një gjetje e veçantë propagandistike! E çfarë, në fund të fundit, a nuk ka çdo shërbim inteligjent ambiente të veçanta dhe godina ku kryen veprimtarinë e tij, a nuk është karakteristikë e çdo shërbimi inteligjent pikërisht fshehtësia dhe operativiteti? Ku dallon “Shtëpia me gjethe” në karakteristika që të arrijë të bëhet simbol i një sistemi apo të marrë atribute edhe muzeale, edhe kulturore apo trashëgimore?! Nëse shërben vetëm për të thënë se pushtetet e sotme janë distancuar nga sistemi i shkuar, kjo nuk ka nevojë të reklamohet, pasi është katërcipërisht e vërtetueshme nga vetë veprimtaria e përditshme e pushtetarëve dhe politikanëve tanë në përgjithësi…
– Një bunker tjetër butaforik që po ngrihet pas Ministrisë së Brendshme e që paradoksalisht ka ngritur një pluhnajë lufte propagandistike mes palëve politike në vend, përsëri duket se shkon në të njëjtën hulli. Përsëri fonde për propagandë, përsëri objekte pa jetëgjatësi (ndoshta sapo të zëvendësohet ministri, apo qeveria!), përsëri s’kemi produkt të qëndrueshëm, përsëri reklama si promotor i çdo veprimtarie…
– Në këtë hulli e gjykojmë edhe një ekspozitë të fundit të hapur në Muzeun Historik Kombëtar, “Antihomazh”. Përsëri në fokus anatemimi dhe demaskimi i diktaturës dhe i diktatorit (edhe pse dikush atje mund të shkojë për homazh në vend të antihomazhit!).
Mirë po ky popull e kjo shoqëri do të rrijë për dekada të bëjë të njëjtën gjë sa herë ndërrohen sistemet apo qeverisjet? A do të dalë ndonjëherë nga qerthulli që s’të çon askund e të fillojë të prodhojë realisht me rendiment, me efektivitet, me kreativitet, i çliruar prej thonjve të propagandës në shërbim të pushteteve kalimtare? A do të vijojë jetën si të gjitha shoqëritë e tjera në drejtim të prosperitetit pa shpenzuar kohë, nerva, mund e djersë për të ngritur kështjella mbi rërë? A do të vijojmë pafundësisht me vënie e heqje pllakash përkujtimore për luftërat butaforike që zhvillojnë palët ideologjike, politike apo klanet e interesave mes tyre, pa lënë gjurmë trashëgime të jetës e kulturës së një kombi të pjekur e të qytetëruar?
U ndalëm në këto ngjarje “kulturore” për të ilustruar një dukuri të ngulitur mjerisht fort në mendësinë tonë të drejtimit dhe mbarëvajtjes së shtetit e shoqërisë. Këto janë vetëm disa aspekte që shprehin tendencën për të shitur reklamën pa produkt, çka qëndron duket në frymën dhe praktikën që zhvillohet gjatë gjithë këtyre viteve. Kontrasti mes asaj që prodhohet dhe asaj që “shitet” në reklamë, i shtrirë edhe në fusha të tjera, mund të themi se është tepër evident dhe ndjehet për fat të keq edhe një përshtatje e përgjithshme me këtë frymë.
Në një analizë më të përgjithshme, duke qëndruar pikërisht në të dyja anët e kontrastit, reklamë- produkt, mund të zgjerohemi edhe në tej. Përgjatë këtyre dy dekadave kemi dëgjuar pafund si refren deri në mërzitje nga politikanët e radhës se në programet e tyre qëndron përherë “infrastruktura”. Përkthyer në konvencionin tonë mbi kontrastin, i bie që infrastruktura të përkojë me reklamën. Natyrshëm që infrastruktura është e nevojshme dhe shpreh prosperitetin e një vendi, por në themel të zhvillimit padyshim në radhë të parë qëndron “struktura”. Këtu nuk kemi ndërmend të hyjmë në debate të politikave zhvillimore, pasi nuk është as objekti e as tagri që mund të marrim përsipër. Por në gjykim të thjeshtë, infrastruktura vjen përherë e ngritur mbi strukturën, të paktën në logjikën arkitekturore pa themele mund të ngrihen vetëm çadra e kapanone të përkohshme e jo ngrehina solide e jetëgjata në kohë. Megjithatë, kontrastin infrastrukturë-strukturë e marrim në funksionin logjik të frymës së shkrimit, në përqasje me ilustrimin që morëm si shkas për këtë trajtim, “ditën e biçikletave”. Në fakt, kur nuk është bërë asgjë për “t’u hapur rrugë” biçikletave, për çfarë vlen sensibilizimi i njerëzve për vlerat e biçikletës?! Apo më gjerë, pa synuar në ndonjë keqkuptim, a u mbajt parasysh struktura zhvillimore e zonave rurale, ku do të kalonte vepra madhore infrastrukturore “Rruga e kombit”?
Në një aspekt tjetër, reklamën (apo propagandën) e shohim të jetë deri dhe mbytëse prej përsëritjes së pareshtur për çerek shekulli në një trysni mediatike të pashembullt. E kemi fjalën për “integrimin”. Është një term që si spot-reklamativ qëndron në çdo dy fjali të secilit politikan, pushtetar, veprimtar OJQ-sh, apo analist mediatik. Edhe pse në shumë drejtime janë po ata vetë, “shitësit” e reklamës, që kanë punuar e punojnë në drejtim të kundërt, duke minuar me veprimtarinë e tyre pikërisht integrimin. Përkthyer në termat tona, shesin reklamë dhe sabotojnë produktin, pasi integrimin nuk po e shohim ende të jetë i afërt. Pastaj përsëri në këndvështrimin tonë të kontrastit, është folur për “integrimin europian” në modelin e “infrastrukturës”, pa folur apo së paku reklamuar “integrimin e brendshëm” të shoqërisë, pra strukturën, produktin, nëse do ta konsideronim kështu, në vazhdë të shtjellimit tonë. Pra, elementi propagandistik (reklamativ) mbizotëron edhe në këtë drejtim.
Kontraste të tilla mes reklamës dhe produktit, si konvencione të zgjedhura për të shprehur një dukuri që na duket shqetësuese për shoqërinë, pasi është kthyer në frymë të përgjithshme dhe ka krijuar “habitatin” e vet në mendësinë e sotme, padyshim kanë pasojat e tyre, e këto pasoja i vërejmë e i ndjejmë përditë si qytetarë, qoftë në drejtimin politik, qoftë në aspektin ekonomik e qoftë edhe në atë kulturor. Raporti mes këtij kontrasti, sidomos në drejtimin politik e më tej në pasqyrimin mediatik, duhet të ndërrojë duke i kushtuar vëmendje dhe përkushtim më tepër produktit si qëllim e më pas reklamës së tij si rrjedhojë, për të mos qenë një shoqëri që akomodohet në skenografi butaforike teatrale.
(d.d/GSH/BalkanWeb)
