Konferenca e përbashkët për shtyp ka nxjerr në pah dhe një këndvështrim të kundërt të kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Macron lidhur me vendimmarrjen brenda Këshillit Europian.

Për kreun e qeverisë shqiptare ky Këshill sot i ngjan asaj familjes ku në tryezë ulen të gjithë brezat, nga gjyshi, te prindërit, fëmijët dhe nipërit dhe ku edhe këta të fundit kanë të njëjtën peshë në vendimmarrje sa të mëdhenjtë.

Por Presidenti Macron i është përgjigjur Ramës duke thënë se në BE të gjitha vendet janë të barabarta, teksa shtoi se Europa, përfshi edhe Francën ka humbur në histori nga hegjemonia.

Replikat:

Rama: Bashkimi i Europës duhet të ndodhë dhe mund të ndodhë se nuk ta jep Bashkimin e Europës fakti që ne kemi statusin e anëtarit të plotë apo nuk e kemi. Nuk të bën të bsahkuar me Europën fakti që e ke të drejtën e votës apo nuk e ke të drejtën e votës në Këshillin Europian. Nuk të bën të bashkuar me Europën që të gëzosh brenda për brenda BE-së të njëjtën fuqi në vendimmarrje si Franca. Se edhe kjo është një çmenduri. Më vjen keq ta them në sy të Presidentit, por mua Këshilli Europian sot më duket si një familje ku gjyshërit, prindërit, fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve janë në të njëjtën tavolinë dhe të gjithë kanë njësoj të drejtë të ndalojnë vendimmarrjen. Në cilën shtëpi funksionon kjo? Gjithë pjesa e urtë dhe me eksperiencë e shtëpisë thotë “duhet të marrim këtë vendim”. Çohet stërnipi dhe thotë “jo, nuk dua. Iki”. si funksionon kjo? Ndërkohë që Europa përballet me fuqira të mëdha, të vjetra dhe të reja që kanë një kapacitet vendimmarrës vertikal dhe strategjik. Ky është një problem fatmirësisht për dhe fatkeqësisht për Presidentin, që duhet ta zgjidhin këta, nuk e zgjidhim ne. Ne na duhet vendi ynë aq sa na takon, në një familje të bashkuar ku ka hierarki dhe ku nuk i merr koka erë stërnipit shqiptar që të thotë “e mori Skënderbeu edhe Europën”.

Macron: Në momentin kur ulemi rreth tavolinës dhe unë mendoj që kjo ndodh tani në Komunitetin Politik Europian, nuk ka më gjyshër dhe nipër, ka vetëm të barabartë. Ky është gjenialiteti i kësaj Europe. Europa e ka humbur gjithmonë rrugën në luftëra civile sepse ishte histori hegjemonisë. Edhe Franca ka kontribuar në këtë aventurë hegjemonie përmes historisë së saj. BE nuk ka hegjemoni, çdo votë vendos. Pastaj mund të vendosim shumicë të cilësuar, mund të bëhen aleanca, por secili respektohet si i barabartë. Nëse nuk kemi kulturë, sensi i përgjegjësive mund të bllokohet. Askush nuk mund të thotë “Unë e di sepse jam vend i madh, jam vend i mirë”. Kjo është e mrekullueshme sepse është çelësi i ekuilibrit tonë prej 70 vitesh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb