Dhjetëra të dënuar në burgun e Rrogozhinës janë futur në grevë urie duke iu bashkuar të dënuarve të tjera në burgjet e Peqinit, Reçit, Shënkollit dhe Burrelit. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se disa të dënuar kanë refuzuar ushqimin pavarësisht paralajmërimeve nga drejtuesit e burgut se do të izolohen nëse hyjnë në grevë.

Ndërkohë nga ana tjetër drejtues të burgut mohojnë të ketë grevë. Sipas tyre nuk ka as grevë e as refuzim ushqimi.

Kujtojmë se sot Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj shkarkoi nga detyra drejtorin e Burgut të Peqinit Bukurosh Malluta me argumentin se keqmenaxhoi situatën pasi disa të dënuar hynë në grevë urie.

Në një letër drejtuar institucioneve por edhe medias, të dënuarit listojnë një sërë kërkesash që këmbëngulin në plotësimin e tyre. Ata kërkojnë amnisti gjithë përfshirëse 5-vjeçare, pa asnjë kriter.

Ndërsa thonë se burgimi i përjetshëm duhet të përcaktohet dhe të jetë 20 vjet si në vendet e Bashkimit Europian, si dhe të aplikohet lirimi me kusht, pasi të kryejnë 3/5 e dënimit. Regjimin e posaçëm “41 bis” e konsiderojnë një shkelje të të drejtave.

Ushqimin e kanë refuzuar edhe të dënuarit në Burgun e Reçit, të Shënkollit si dhe një sektor në burgun e Burrelit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb