Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nisi debatin për një propozim-rezolutë, që do ta shpallte 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Diskutimet, që do të mbyllen me votim, u hapën nga ambasadorja e Gjermanisë në OKB, Antje Leendertse.

“Rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt. As kundër Serbisë – anëtare e vlefshme e kësaj organizate. Ajo shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, tha ajo, vendi i së cilës e hartoi tekstin e rezolutës, bashkë me Ruandën.

Në adresimin e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” që “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”.

“Iu bëj thirrje vendeve anëtare që të votojnë kundër rezolutës”, tha ai, raporton REL.

Sipas tij, kjo rezolutë nuk do të bashkojë asnjë në Bosnje dhe do të krijojë ndarje në rajon. Vuçiç theksoi se rezoluta do të hapë atë që ai e cilësoi si “Kutia e Pandorës”.

“A do të bashkojë ndonjë në Bosnjë kjo rezolutë, a do te ketë ndarje në rajon? Kjo do të krijojë ndarje. Rezoluta është goditje për Serbinë. Kjo rezolutë do të hapë kutinë e Pandores”.

Rezoluta bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

Në Srebrenicë – pjesa lindore e Bosnje e Hercegovinës – forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007.

Si u deklaruan vendet e tjera?

Përfaqësuesi i Kinës në OKB, Fu Kong, tha se vendi i tij do të votojë kundër rezolutës për Srebrenicën.

Ai tha se Kina e ka respektuar gjithmonë sovranitetin dhe pavarësinë e Bosnje e Hercegovinës, por vlerësoi se rezoluta “është një dokument kontrovers”.

Kuba, Azerbajxhani, Nikaragua dhe Venezuela u shprehën, po ashtu, kundër.

Egjipti tha se do të votojë në favor të rezolutës.

Kush e sponosorizoi rezolutën?

Gjermania dhe Ruanda janë “sponsorizueset” kryesore të rezolutës për Srebrenicën, përkatësisht shtetet që bashkërisht e iniciuan dhe hartuan tekstin e saj.

Më pas, 32 shtete anëtare të OKB-së u bënë “bashkësponsorizuese”, apo vende që morën përsipër detyrën e prezantimit të draftit para 193 shteteve anëtare të kësaj organizate.

Për miratimin e rezolutës duhen votat e shumicës së anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përkatësisht 97 nga gjithsej 193.

Mbështetje për të, deri më tash, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Dokumenti nxiti reagime të furishme nga zyrtarët e tyre, edhe pse në të nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska.

Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të tij, ndërsa, pak orë para se të niste debati në Asamblenë e Përgjithshme, Republika Sërpska ofroi, siç tha, një marrëveshje për “ndarjen paqësore” të Bosnje e Hercegovinës.

Pjesë nga teksti përfundimtar i rezolutës

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së…

(…)

… duke vënë në dukje se viti 2025 do të shënojë 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ku humbën së paku 8.372 jetë, mijëra u zhvendosën dhe familje dhe komunitete u shkatërruan…

1. vendos ta shpallë 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Vitit 1995 në Srebrenicë, që do të shënohet çdo vit;

2. dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës si një ngjarje historike dhe u bën thirrje shteteve anëtare që t’i ruajnë faktet e vërtetuara, duke përfshirë përmes sistemeve të tyre arsimore [dhe] duke zhvilluar programe të përshtatshme drejt parandalimit të mohimit dhe shtrembërimit të gjenocidit, si dhe përsëritjes së tij në të ardhmen.

3. gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës;

4. thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë dhe varrimin e dinjitetshëm të tyre, si dhe bën thirrje për ndjekjen e vazhdueshme të atyre autorë të gjenocidit në Srebrenicë, që nuk janë përballur ende me drejtësinë;

5. u bën thirrje të gjitha shteteve që t’iu përmbahen plotësisht detyrimeve të tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, dhe të drejtës ndërkombëtare zakonore për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke i pasur parasysh vendimet përkatëse të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë;

6. kërkon nga sekretari i përgjithshëm të krijojë një program informimi të titulluar “Gjenocidi i Srebrenicës dhe Kombet e Bashkuara”, duke i filluar aktivitetet e tij me përgatitjet për përvjetorin e tridhjetë në vitin 2025, dhe gjithashtu i kërkon sekretarit të përgjithshëm që ta sjellë rezolutën aktuale në vëmendjen e të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile, që ta respektojnë siç duhet;

7. i fton të gjitha shtetet anëtare, organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara, organizatat tjera ndërkombëtare e rajonale dhe shoqërinë civile, përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe palët e tjera relevante, që ta respektojnë Ditën Ndërkombëtare, duke përfshirë rite dhe aktivitete të veçanta në kujtim dhe nder të viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, si dhe edukim të duhur dhe aktivitete për ndërgjegjësimin e publikut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb