Fëmijët Amar Rasha, Emel Rasha e Hatixhe Rasha dhe nëna e tyre Floresha Rasha, si dhe djali i familjes Dumani, Endri Dumani u riatdhesuan sot në Shqipëri nga kampi famëkeq i Al-Holit në Siri.

Në studion e emisionit “Real Story” ishte sot daja i Endri Dumanit që foli për gjendjen e nipit, por edhe gazetarë e specialistë që dhanë detaje nga operacioni ku u mundën të shpëtohen vetëm 5 persona.

Luneta Sufali, Drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror e cila ka ndjekur nga afër një pjesë të operacionit duke u instaluar në Liban, ku edhe u ngrit një kamp që do t’i priste, tha se tmerri që kanë përjetuar këta fëmijë atje shkon përtej imagjinatës.

Klodiana Lala: Ka 70 mijë persona aty në atë kamp, është e vështirë t’i gjeje, pasi një grup grash filluan t’i qëllojnë me gurë personat që hynë për të marrë fëmijët. Aty janë një pjesë e grave të imamëve të vetëshpallur që kontrollojnë grupin shqiptar.

Sokol Balla: Operacioni nuk ishte i suksesshëm aq sa duhej?

Luneta Sufali: Kishim rreth një vit që përgatiteshim, ngritëm qendër dhe prisnim më shuëm fëmijë, sukses është qoftë edhe një jetë e shpëtuar. U takuam që dje në orën 6 me të shpëtuarit, takimi ishte i vështirë, komunikimi me ta. Ju e patë se çfarë kanë përjetuar ata fëmijë atje, tmerri është përtej imagjinatës sonë njerëzore, por kjo është realisht përtej imagjinatës. Nuk i ngacmuam për të mos ia vështirësuar situatën se ishin edhe të lodhur, nga rruga e gjatë që kishin bërë.

Sokol Balla: Ka frikë Xhetani se thotë mund t’i rrezikohet jeta e mbesës, pse ishte kaq e vështirë situata atje?

Luneta Sufali: Ne nuk jemi të parët që duam të depërtojmë e të marrim shtetasit tanë, kanë pasur vështirësi strukturat atje, është e vështirë t’i identifikosh, duke pasur parasysh veshjen.

Sokol Balla: Vetë individët rezistojnë, pra nuk duan të vijnë?

Luneta Sufali: Fëmijët janë viktima dhe janë të pafajshëm, më i madhi që ishte 14 vjec nuk mund të kuptosh asgjë, sidomos në momentet e para. Ata ishin realisht të lumtur për kthimin këtu.

Sokol Balla: Sa fëmijë ka identifikuar shteti shqiptar?

Luneta Sufali: Kemi marrë masat për rreth 40-50 fëmijë, por nuk e kam të saktë…

Klodiana Lala: Historia ka nisur 6 vite më parë kur prokuroria goditi një grup që rekrutonte gra, burra e të rinj, për të luftuar në krah të ISIS. Në fillim shkuan për shkak të pagesave që merrnin, pastaj shkuan për shkak të fesë. Babai e ka mashtruar Mide Dumanin duke i thënë se po i contë fëmijët me pushime në Mal të Zi. Ai ka shitur edhe shtëpinë për të ndjekur kauzën e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb