Rikthimi i fëmijëve shqiptarë nga kampi i ferrit “Al Hol”, në Siri, është temë diskutimi në emisionin “Real Story”, në News24. Në një lidhje me “Skype”, daja i Endri dhe Eva Dumanit, Xhetan Ndregjoni, tha se nuk do të jetë rehat derisa të kthejë në atdhe edhe mbesën e tij 14-vjeçare.

I pyetur nga gazetarja Klodiana Lala se kujt ja dhanë autorizimin për rikthimin e dy fëmijëve nga kampi dhe pse u vonua kaq shumë operacioni, Ndregjoni tha se i është drejtuar Antiterrorit me shkresë, pasi shteti duhet të ketë autorizim, që të mund të marrë fëmijët nga ushtria kurde.

Pjesë nga diskutimet në studio:
Arjan Dyrmishi: Kampi kontrollohet nga ushtria. Sigurisht që aty kontrabandohen mallra. Mesa di unë nuk bëhet fjalë që të ketë armë zjarri aty brenda, pra njerëzit brenda janë nën kontroll. Kalimi i tyre në Liban është i vështirë, aq më tepër që ata nuk kanë dhe mjete identifikimi. Ka pasur akses Gjysmëhëna e Kuqe, që ka mundur t’i kalojë.

Luneta Sufali, Drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror: Identifikimi i tyre ishte në krye, pasi strukturat shtetërore po punonin prej javësh.

Klodiana Lala: Mendoj që duke qenë se forcat tona kanë qenë të pakta në numër, operacioni shumë i vështirë, një pjesë e tyre kanë pasur frikë se mos rrëmbehen. Fëmijët janë pa dokumente dhe kanë frikë, sepse janë të pasigurt se në dorë të kujt do të shkojnë. Mund të ndodhë që të shkojnë për qëllime trafikimi.

Xhetan Ndregjoni (daja): Vonesa ka qenë shumë e rëndë për ne dhe rreziku vazhdon. Unë i kam kërkuar fëmijët edhe kur ishte lufta, kur nuk ishte krijuar kampi. Kam qëndruar në Turqi dy javë, si dhe në vende të tjera, nuk kam lënë shtëpi pa kontaktuar. Nuk më zë shpirti rehat pa u kthyer dhe Eva. Nëse ndërhyrja do të ishte më e shpejtë, do të ishte fat që të gjithë ato fëmijë të kishin ardhur sot.

Lala: Kujt ja dhatë autorizimin për të marrë fëmijët?
Ndregjoni: Antiterrorit. Në shkresë autorizuam shtetin shqiptar për marrjen e fëmijëve, se dhe shteti nëse nuk ka autorizim, nuk ja japin fëmijët ata kurdët. Ata janë autoritete, janë ushtri.

Lala: Pse mendoni se u vonua kaq shumë rikthimi i Endrit?
Ndregjoni: Shteti ka raportet e veta me shtetet e tjera, nuk është se po shkon në Durrës apo Sarandë për të marrë fëmijë, po shkon në një vend të huaj. Autoritetet kanë ndenjur 1 muaj e ca në Liban, duke rrezikuar jetën e tyre dhe unë i përgëzoj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb