Braziliani Kaka, një nga futbollistët më të mirë në historinë e Milanit, ka folur së fundmi për sezonin e ri që do të nisë “djalli” në “Seria A”.

Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, 36-vjeçari prek të gjithë temat, “ADN-n” e Milanit, Leonardo-n, Maldinin e Gatusso-n. Një mendim edhe për Ronaldo-s, por mbi të gjithë shprehet se Milani është gati për t’u rikthyer të fitojë.

“Në letra, Juventusi është skuadra më e fortë, nuk ka diskutime, por shumë gjëra mund të ndodhin gjatë sezonit, dhe të mendosh për gjëra të mëdha, është në ADN-në e Milanit.”

Çfarë i ka sjellë Leonardo Milanit?

Eksperienca, kontaktet me FIFA-n dhe UEFA-n, si dhe me klubet e mëdha. Leo ka bërë gjithçka, ka bredhur botën. Është i zgjuar dhe e njeh mirë artin e komunikimit. E di sesi ndërtohet një skuadër e madhe.

Po Maldini, çfarë mund t’i shtojë më shumë kupolës drejtuese të Milanit?

“Paolo është historia, flamuri. Është një idhull. Në botë, nëse flet për Milanin, flet edhe për Paolon dhe anasjelltas. Paolo është besnikëria. Drejtuesit e sotëm kanë rigjetur ADN-në e Milanit. Leo dhe Paolo janë rikthyer, ndërsa Gattuso qëndroi në pankinë. Rino është nga ata që kanë shumë grintë, shpirtin që nuk dorëzohet kurrë. Kështu ishte edhe kur luante.

Si ju duket ky Milan?

Është një skuadër që po kërkon seriozisht të rimarrë vendin që i takon në futbollin e madh. Nuk duhet ta nënvlerësojnë Europa League-n. Kur të eliminohet skuadra të rëndësishme nga Championsi, do të bëhet një turne shumë tërheqës dhe për ta fituar mund të bëhet një objektiv shumë i rëndësishëm.

Shkuat te Reali i Madridit në vitin 2009, bashkë me Ronaldon. Duke qenë se ke luajtur me të dhe e njeh nga afër, çfarë tipi është?

Për futbollin italian është shumë bukur që e ka afruar. Rrit shikueshmërinë, afron sponsorët dhe shton interesin e mediave nga e gjithë bota. Kampionët e mëdhenj, nëse do të kenë mundësi për t’u transferuar në Serina A, do të mendohen gjatë. Cristiano sjell gjëra pozitive në sistemin e futbollit italian, jo vetëm tek Juventusi.

Kur do t’ju shohim te Milani?

Nuk e kam idenë. Për momentin dua të qëndroj pranë familjes sime në Brazil dhe nuk mund ta imagjinojë një impenjim fiks. Mund të vij në Itali për motive personale, kështu që do të kem mundësi për të testuar terrenin. Do të jem në “San Siro” si tifoz, por pa dyshim që do të doja të bëjë diçka më shumë për Milanin. Është çështje kohe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: