Derbi mes Dinamos dhe Partizanit rikthehet shumë shpejt. Pas dy ndeshjeve në kupë, ku triumfuan të kuqtë dhe eliminuan blutë, të besuarit e Dritan Mehmetit, në rast fitoreje, mund të fundosin nëndetësen blu.

Partizani i vitit 2022 duket më ndryshe, por gjithsesi, në kampionat ende mbetet larg zonës evropiane, prandaj do të kërkojë edhe njëherë tjetër të mposhtë Dinamon, ashtu si e kanë dy herë këtë sezon.

Në krahun tjetër, Dinamo është në një pikë kritike të sezonit. Pasi u eliminuan nga Kupa e Shqipërisë, blutë rrezikojnë rënien nga Kategoria Superiore. Nga pretendimet madhore për trofe, Dinamo mund të dështojë totalisht dhe me ecurinë e javëve të fundit, nuk është çudi që të rikthehet në Kategorinë e Parë.

Dinamo nuk ka fituar asnjë derbi në kampionat këtë sezon, ndërsa në kupë ka fituar 1, barazuar 1 dhe humbur dy. Blutë nuk fitojnë prej më shumë se një muaji, 7 ndeshje radhazi, 5 humbje dhe 2 barazime. Dhe në fundjavë vjen derbi, ku një tjetër dështim, do të vinte në dyshim të fortë qëndrimin në Superligë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb