Zëvendësministri i Financave, Besart Kadia, ndodhet në Shkup, ku po merr pjesë në Forumin “Rimëkëmbja pas Covid-ti”.

Në një lidhje me “Skype” për “News24”, nga Shkupi, zv.ministri Kadia foli për rëndësinë e këtij forumi, teksa u shpreh se vendet e rajonit marrin eksperiencat e njëri-tjetrit për menaxhimin e situatës nga pandemia e koronavirusit.

Sipas tij, nga të dhënat e deritanishme, rezulton se Shqipëria e ka menaxhuar mirë situatën dhe ka një rimëkëmbje ekonomike me 5.5%, që është më e lartë se vendet e rajonit.

“Është forumi i dytë pas Prespës. Jemi gjithë kohës në frymën e sfidave të përbashkëta që ka Ballkani/. Ministria e Financave të Maqedonisë kanë vendosur të krijojë një platformë për të diskutuar me të gjithë aktorët se çfarë është eksperienca më e mirë. Është nga ato forumet në kohët e vështira ekonomike, për të krijuar një mënyrë për t’i bërë ballë botës pas Covid-it. Sfidat janë shumë të ngjashme për të çdo vend të Ballkanit. Nëse kemi probleme me mbylljen apo moskontrollimin e Covid-it, do të kemi probleme në financat e vendit, papunësinë, etj. Shqipëria deri tani e ka menaxhuar mirë, ka një rimëkëmbje 5.5%, që është më e lartë se vendet e rajonit, apo dhe vetë Maqedonia. Ne jemi ekonomi të vogla, sfidat janë të përbashkëta, ndaj dhe ndërveprimi apo lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave është ajo që duhet të ecë përpara. Ne jemi në situatë jashtëzakonisht pozitive, referuar të dhënave. Sa i përket nivelit të kredive të këqija, Shqipëria i ka në ulje ndryshe nga vendet e tjera të rajonit. Të ardhurat në buxhetin e shtetit janë më të larta. Duke parë këto, Shqipëria ka një rritje të ekonomisë mbi pritshmërinë”, tha Kadia, duke shtuar se “Forumi zgjat dy ditë. Është një ide që shërben edhe për Shqipërinë, pasi merr eksperiencën e vendeve të rajonit, për të marrë idetë më të mira për menaxhimin e situatës. Asnjë shtet nuk di çfarë të bëjë. Ka shumë pikëpyetje për këtë situatë, ndaj dhe eksperienca shtesë ndihmon”.

Më tej, numri dy i Financave foli dhe për procesin e fiskalizimit, duke u shprehur se ky proces përmirëson pjesën e menaxhimit të të ardhurave të buxhetit të shtetit, dhe se sipas tij, priten rezultate pozitive brenda muajit tetor të këtij viti.

“Duhet të kemi një partneritet jashtëzakonisht të qartë me njerëzit dhe bizneset, që kur merren masat, të ndjehen e të respektohen deri në fund. Nuk duhet të kemi dy standarde, ku njëri kërkohet nga shteti, por biznesi vetëm kërkon, pa dhënë asnjë lloj kontributi. Kjo është sfida që kemi sot. Biznesi shqiptar në këto çaste është në partneritet me shtetin, por duhet të krijojë një urë për të kuptuar masat, si dhe të mos mendojë vetëm për krizën afatshkurtër. Fiskalizimi është një proces, që ka kohë që është nisur si një politikë për të përmirësuar pjesën e menaxhimit të të ardhurave të buxhetit të shtetit. Si çdo reformë e re, me teknologji të re, dhe që kërkon rakordimet e shumë individëve, patjetër që ka vështirësi, të cilat nuk janë ndëshkuese. Nuk janë masa ndëshkuese, në kuptimin që shteti nuk e ka marrë përsipër të ndëshkojë këdo, por këto janë procese që do të tejkalojnë vështirësitë. Është një rakordim, që i shërben një gjenerate. Të bëhet për një vit, do kohën e vet sa të rakordohet. Nuk duhet të shohim pjesën negative të këtij procesi. Ka me mijëra biznese, që janë falënderuese, për përfitimet e tij. Fakti që sistemi ka funksionuar te mijëra biznese, mendoj se problematikat mund të shmangen, dhe deri në tetor do të kemi një panoramë të qartë dhe me rezultate jashtëzakonisht pozitive”, tha ai.

I pyetur nëse u përmbushën pritshmëritë e ekonomisë, dhe nëse do të ndikojë tek ekonomia situata aktuale e krijuar nga koronavirusi, ku ka sërish rritje shifrash nga varianti ‘Delta’, zv.ministri i Financave u shpreh se “Ne jemi akoma optimistë. Të dhënat janë optimiste në kuptimin e rritjes ekonomike. Mendojmë se më 2022 nuk do të jemi më poshtë se 2019, por mendojmë të jemi më lart se në këtë vit. Ne jemi në kushtet kur njerëzit nuk duhet të kenë frikë, por duhet të jenë të qartë se kemi një krizë që vjen nga Covid-i, rreziku i së cilës tashmë është më i vogël, pasi kemi edhe vaksinën. Vaksinimi ka minimizuar rrezikun shëndetësor nga virusi. Unë do të thoja se risku dhe pasiguritë e vitit të kaluar kanë ndryshuar, tashmë risku është më i ulët. Ne tani kemi një eksperiencë. Fakti që rritja ekonomike është e lartë, njerëzit dhe bizneset morën paga e garanci sovrane në kohën e duhur, apo edhe eksperienca me politikat fiskale, më bëjnë optimistë për rritje më të lartë ekonomike në muajt dhe vitet në vijim”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb