Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në cilësinë e drejtuesit politik të PS ka inspektuar sot shkollën e Rindërtuar tashmë ”26 marsi” në Kavajë që u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Veliaj thotë se shkolla e rindërtuar nuk ka asnjë dallim nga ato të Tiranës dhe kjo vetëm prej këmbënguljes së kryeministrit Rama që gjithë projektet të Rindërtimit t’i kushtohet rëndësi.

“Nëse nuk do e dija që jam në Kavajë, nuk do dallonte fare nga çdo kantier tjetër shkollash që kemi në Tiranë. Fakti që me kembenguljen e Edi Ramës të gjithë projektit të rindërtimit po i kushtohet e njëjta rëndësi, si për një shkollë që bëhet në bllok, si për një shkollë që bëhet në Kodër-Kamëz, si për një shkollë që bëhet në Kavajë është një lajm i mrekullueshëm. Fakti që do kenë përvojën e tyre jetësore që është gjimnazi në një shkollë që ka të njëjtën cilësi si shkollat më të mira në Tiranë është një lajm i shkëlqyer dhe për ata prindër që i gëzohen kësaj shkolle do të jetë një ambient, jo vetëm për orët e mësimit, por edhe për orët pas mësimit,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Nga ana tjetër, ai tha se Shqipëria sot, falë prioritetit të vënë prej qeverisë për rindërtimin, është i vetmi vend që ringrihet edhe më i fortë në një kohë rekord, vetëm 1 vit pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Tani që kemi parë një vit se si, jo vetëm u rrëzuam, por se si u ringritëm, që është pjesa më e rëndësishme, them vërtet që kemi bërë një punë të paqme. Në një vit, nuk ka një vend tjetër që të ketë ecur kaq shumë puna e rindërtimit dhe të jetë shfrytëzuar mundësia për t’i rindërtuar gjërat më të forta, më të mira e sa më jetëgjata. Sot është ditë pushimi, por fakti që ne e ndajmë të gjithë këtë pasion dhe funksionojmë si një skuadër, si shteti dhe privati, do të thotë që i kemi prioritetet atje ku duhet,” tha kryebashkiaku i Tiranës.

Ndërsa kryetari i Bashkisë Kavajë, Redjan Krali, u shpreh se gjithsej janë 3 shkolla që po rindërtohen dhe 11 të tjera që po rikonstruktohen në këtë bashki.

”Shkolla është parashikuar me dy seksione. Seksioni i parë 2-katësh dhe seksioni tjetër 4-katësh. Do të ketë një palestër të brendshme, 8 laboratorë, 18 klasa, plus sallat e mësuesit. Struktura e saj është shumë më e fuqishme, me sisteme mekanike sipas standardeve evropiane, me sistem ngrohjeje, me kaldajë, izolim me polisterol, që krijon një termoizolim më të mirë.”- theksoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb