Miss Universe ka ndryshuar rregullat në lidhje me pjesëmarrjen, duke lejuar që tashmë që pjesë e garës të jenë edhe gratë e martuara dhe ato me fëmijë.

Duke filluar nga viti 2023, statusi civil dhe fakti nëse pjesëmarrëset kanë apo jo fëmijë, nuk do të jetë pjesë e kritereve pranues, ndërsa duhet thënë se të tilla rregulla deri tani kanë qenë pengesë për shumë gra të cilat donin të ishin pjesë e garës së bukurisë.

Madje rregullat shkonin edhe më tej, duke vënë kriter të qenit beqare për vajzën fituese dhe në periudhën pas mbarimit të konkursit, deri në zgjedhjen e mbretëreshës së radhës të bukurisë.

Ndërkohë vajzave u ndalohej në mënyrë kategorike të mbeteshin shtatzëna gjatë konkursit dhe deri në zgjedhjen e misit të ri.

Fituesi i Miss Universe 2020 Andrea Meza nga Meksika e duartrokiti ndryshimin e rregullit.

“Sinqerisht më pëlqen që kjo po ndodh. Ashtu si shoqëria ndryshon dhe gratë tani po zënë pozita udhëheqëse ku në të kaluarën vetëm burrat mundeshin, ishte koha që konkurset të ndryshonin rregullat dhe të hapin dyert edhe për gratë me fëmijë”, ka thënë Meza në një intervistë për Insider.

Meza i quajti rregullat e deritanishme “seksiste” dhe “joreale”.

“Disa persona janë kundër këtyre ndryshimeve, sepse gjithmonë kanë dashur të shohin një grua të bukur beqare, e cila është në dispozicion për një lidhje. Ata gjithmonë kanë dashur të shohin një grua që nga jashtë duket aq e përsosur saqë është pothuajse e paarritshme. E para është seksiste dhe e dyta është joreale”, është shprehur ajo.

Konkursi Miss Universe transmetohet në më shumë se 160 shtete.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb