NGA FATMIRA NIKOLLI

Janë të fortë, me tytat e armëve të drejtuara lart dhe të zbukuruara me yje. Një imazh jo përherë i vërtetë, sepse shumë prej tyre nuk janë solidë. Të ndërtuar prej betoni kryesisht, lapidarët janë në shpërbërje, relike të një perandorie të shkuar, kujtime të jetëve të humbura.” Kur Robert Hackman erdhi për herë të parë në Shqipëri, nuk mundi as ta imagjinonte se lidhjet me këtë vend do ishin të përjetshme. Përveç misionit të tij të parë, ai i fotografimit të luftës së Kosovës, hapat e tij morën tjetër udhë: dokumentimi i një Shqipërie që rrekej të linte një regjim, duke e varrosur edhe trashëgiminë e tij, ose duke e përshtatur atë trashëgimi, ironikisht në çfarë s’mund të ishte imagjinuar.

Bunkerët qenë detyra e parë e Hackman, të përshtatur në gjithëçfarë funksionesh. E dyta është ‘dokumentimi’ i lapidarëve: fotografi të tyre të marra anekënd vendit, që ndryshe prej shumëçkaje tjetër: thjesht janë lënë në harresë; as janë shembur, as janë goditur, por as nuk kanë ndjerë kujdesin e askujt. Heronjtë e heshtur që u përjetësuan në beton, janë ende në këmbë, herë me grushtin komunist, herë me flamur në valëvitje, e herë me armë në duar e shikimin tretur tej, në malet e larta të mëmëdheut.

Teksa ka kërkuar edhe më thellë arsyet që i dhanë hapësirë këtij arti publik, fotografi ka gërmuar në ‘psikologjinë’ e regjimit, për të arritur në përfundimin se “diku është një vijë që ndan të pranueshmen nga fyesja. Kjo varet nga vendndodhja dhe historia e një monumenti publik. Ndërsa statuja e një diktatori do të konsiderohej nga kushdo si e papërshtatshme, një monument për dikë që ka sakrifikuar jetën për çlirimin e vendit, do të ishte i pranueshëm. Mes këtyre dy ekstremeve është një vijë e përshtatshmërisë gjithmonë e lëvizshme dhe e bazuar në kontekstin individual”.

EKSPOZITA NË GKA
Më datë 6 korrik 2015, ora 19:00, Galeria Kombëtare e Arteve i prezanton publikut ekspozitën “Lapidarë dhe Monumente”, të fotografit australian Robert Hackman. Është hera e parë që ky fotograf u flet shqiptarëve prej Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Ekspozita e tij, tregon një përzgjedhje prej rreth tridhjetë e pesë fotografish me ngjyra, në dimensione të mesme, të cilat në fokusin e tyre kanë një vëzhgim fotografik personal të autorit nëpër Shqipëri këto vitet e fundit mbi lapidarët dhe monumentet e peizazhit post-socialist shqiptar.

Nuk është hera e parë që Hackman ndërmerr një eksplorim të tillë: vitin e kaluar u hap në Muzeun Kombëtar Shqiptar ekspozita e tij, me fokus gjendjen e tanishme dhe metamorfozën e bunkerëve të ndërtuar gjatë periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri. Ishte gjatë kësaj periudhe që Hackman fotografonte bunkerët që ai “zbuloi” temën tjetër për punën e tij të mëpasshme. Ashtu si e thotë dhe vetë, “u intrigova nga lapidarët dhe monumentet publike ndërsa foto-dokumentoja ripërdorimin dhe riciklimin e bunkerëve në Shqipëri. Për shkak se çdo lapidar ishte unik në dukje, fillimisht mendova se bënin dallim nga bunkerët që u ndërtuan në shkallë industriale. Bunkerët ishin kryesisht një përsëritje e së njëjtës histori, pavarësisht nga vendndodhja e tyre; ndërsa çdo lapidar kishte një histori individuale dhe arsyen e vet të ekzistencës.”

Hackman është një fotograf profesionist që nga vitet 2000. Lindur në Australi, në vitin 1995 u zhvendos në Londër ku sot jeton dhe punon. Interes për punën e tij kanë qenë vazhdimisht çështjet humanitare, historike dhe fetare. Gjatë këtyre viteve ka punuar për UNHCR, UNICEF, Refugee Council, Refugee Action etj. Fokus tjetër i punës së tij është fotografia e peizazhit dhe fotografia abstrakte. Hackman ka hapur ekspozita të ndryshme në Londër, Beograd, Brazil, Gjeorgji, Shqipëri e Australi.

PSE I FOTOGRAFOJ LAPIDARËT?
Kjo është pyetja që hap hyrjen e katalogut të Robert Hackman. “Sa më shumë fotografoja, aq më shumë shihja ngjashmëri. Lapidarët si edhe bunkerët dominonin peizazhin shqiptar. Çdo lapidar ishte fillimi i një historie individuale, por në të njëjtën kohë edhe shfaqje kolektive e ndërtimit në masë.” Për një publik që e njeh, ose edhe mbase jo, historinë e ngritjes së lapidarëve (që ndër vite ndërtoheshin në pika kyçe rrugëkalimesh, por madje edhe në fshatra të largëta), ai sqaron: “Shumica e lapidarëve u ndërtuan në kujtim të dëshmorëve që ranë duke mbrojtur atdheun prej pushtimeve fashiste italiane dhe gjermane gjatë Luftës II Botërore.” Duke e vënë theksin se shumë prej monumenteve – lapidarëve dhe busteve – u ndërtuan gjatë regjimit komunist kur ishte më i gjallë koncepti i instalimit të artit publik, Hackman kujton edhe se ajo, qe koha e vështrimit të fokusuar mbi të shkuarën e pasur të kombit shqiptar për të përzgjedhur emra dhe ngjarje që do i përshtateshin më mirë asaj çka Partia Komuniste e quajti “beteja e përjetshme e çlirimit kombëtar”.

Sipas tij, “procesi i ‘filtrimit të historisë’ nuk është një koncept i ri gjatë shtet-ngritjes. Prej Perandorisë Babilonase e deri në krijimin e shteteve më të reja, partitë kryesuese i kanë shkuar në sitë historitë e vendeve të tyre, për të përzgjedhur e përhapur ngjarjet që mishërojnë bindjet e tyre.” ART PUBLIK Konceptet që i përngjisnin Partisë Komuniste përfituan formë fizike e u kthyen në art publik, të cilin ne e trashëgojmë edhe sot, anipse është lënë pas dore dhe e ka humbur ngjyrën, ‘ndriçimin’, mesazhin dhe kuptimin. Përtej asaj që shkruan Hackman, ky art publik sot, është më shumë dëshmi e një kohe të perënduar, që përmes asaj pranie, diku ngjall frikë(te shqiptarët, sidomos te të përndjekurit), (te të huajt) ngjall habi e kureshtje, (te një pjesë tjetër) nuk ngjall asgjë, është thjesht pamja përkrah (e mbase një pjese tjetër), u kujton të rënët, ata që e dhanë jetën për vendin ku i betonizuar ende kujtohet.

“Në rastin e Shqipërisë, nuk kishte art publik me axhendë nacionaliste kur lindi shteti shqiptar në 1912-ën. Nuk ishte në interesin e osmanëve të ndihmonin në lindjen e ndonjë shteti të ri prej shpërbërjes së perandorisë së tyre. Në atë kohë, Shqipëria ishte një anomali. Ndryshe nga shtetet e tjera, që u krijuan pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane bazuar kryesisht në besimin fetar, në përputhje me kriteret e komunitetit ndërkombëtar, shqiptarët zgjodhën të bashkoheshin prej gjuhës dhe historisë së përbashkët”, shkruan Hackman, duke ofruar shembuj. Mandej, fotografi shënon se “në fillimin e shekullit të 19-të, Shqipërisë iu desh të ndërtonte një identitet kombëtar gjithëpërfshirës ndaj besimeve të ndryshme fetare. Dhe pa drejt shembullit të Gjergj Kastriotit – ose Skënderbeu, sipas emrit që i dhanë osmanët. Jeta e tij e shkurtër, por heroike, kishte gjithë elementet e një figure kombëtare bashkuese. Skënderbeu bashkë me fise të tjera aleate u rezistoi osmanëve deri në vdekjen e tij në 1468-ën.” Siç shqiptarët e dinë(dhe Hackman e risjell në vëmendje), imazhi i betejës dhe rezistencës së Skënderbeut nuk u shpëtoi as karakkomunistëve, sepse mbështeste dhe legjitimonte versionin e tyre izolacionist të komunizmit.

“Ky imazh dominues i rezistencës së partizanëve kundër fashistëve kishte ngjashmëri me rezistencën e Skënderbeut ndaj osmanëve. Është ky interpretim i Skënderbeut prej komunistëve që manifestohet në dizenjimin dhe ideologjinë e konceptit të lapidarëve dhe monumenteve. Një ndjenjë e shpirtit luftarak për një kauzë të përbashkët. Lapidarët kurrë nuk tradhtojnë dobësi apo mungesë vendosmërie”.

SHEMBUJ PREJ OKSIDENTIT
Në hyrjen e katalogut, Hackman shkruan se është e vështirë të përcaktosh kriteret se cilat janë e nuk janë monumente të pranueshme publike kur ndryshon drejtimi politik i një vendi. Ai sjell në vëmendje debatin e nxehtë që ende vazhdon në jugun e SHBA-ve, mbi legjitimitetin e monumenteve dedikuar ngjarjeve të Konfederatës gjatë Luftës Civile të 1861-’65. Një tjetër shembull interesant është ai i Budapestit. “Në kryeqytetin e Hungarisë, shumë prej monumenteve publike të regjimit komunist janë grumbulluar e rivendosur në një zonë të quajtur ‘Muzeumi i Parkut të Statujave’.

Duke u dhënë një hapësirë të posaçme, në një farë mënyre këto statuja janë futur në karantinë për të krijuar një mundësi reflektimi, për të lejuar vizitorët të përjetojnë një periudhë të errët të historisë së tyre.” Krijuesi i këtij muzeumi, arkitekti Akos Eleod, thotë: “Duhet të kuptoja se po ta krijoja këtë park me metoda më tendencioze, ekstreme apo realiste…unë do ndërtoja as më pak e as më shumë parkun tim të anti-propagandës me këto statuja propagandiste, e kështu do ndiqja të njëjtat modele e receta të diktaturës që vetë i ngriti këto statuja. Ndaj parku ‘për diktaturën’ është njëkohësisht parku për demokracinë. Sepse vetëm demokracia ta krijon mundësinë për të të lejuar të mendosh lirisht për diktaturën.”

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb