Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani tha se në negociatat për marrëveshjen bërthamore që vazhdojnë në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë është siguruar marrëveshja për heqjen e sanksioneve kryesore dhe se vazhdojnë bisedimet lidhur me disa detaje.

Në një lidhje nëpërmjet videos në ceremoninë e inaugurimit të projekteve të zbatuara në fushën e energjisë në rajone të ndryshme të vendit, Rouhani dha informacione lidhur me negociatat mes Iranit dhe vendeve 4+1 dhe SHBA-së që vazhdojnë në Vjenë.

Ai tha se pala përballë në bisedimet në Vjenë është e gatshme për të hequr sanksionet. “Po bisedojmë lidhur me disa detaje të vogla. Kanë pranuar të heqin sanksionet lidhur me naftën, petrokiminë, detarinë, sigurimet, bankën qendrore dhe të gjitha bankat. Hapin e madh dhe themelor e kemi hedhur dhe marrëveshja kryesore është siguruar. Vazhdojmë bisedimet lidhur me disa çështje për të arritur në një marrëveshje përfundimtare”, theksoi Rouhani.

“Do të mposhtim koronavirusin dhe sanksionet deri në përfundimin e afatit të qeverisë aktuale”, tha Rouhani i cili shtoi se “Me vaksinat që kemi importuar dhe që kemi prodhuar vetë do të arrijmë një siguri të pjesshme në çështjen e COVID-19”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb