PRISHTINE-Gjenerali Rrahman Rama edhe zyrtarisht ka marrë komandën e Forcave të Sigurisë së Kosovës nga ish komandanti Kadri Kastrati gjatë një ceremonie të dorëzim – pranimit të organizuar në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Para se ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati t’ia dorëzonte komandën pasardhësit të tij, Rrahman Rama, udhëheqësit e institucioneve më të larta të Kosovës në fjalimet e tyre theksuan se Forcat e Armatosura të Kosovës (FSK) i ka përmbushur kriteret dhe sot paraqet një forcë serioze që do të transformohet tutje.

Presidentja Atifete Jahjaga tha se FSK është e gatshme të kontribuojë në misione paqeruajtëse në botë.
Jahjaga ka vlerësuar lartë FSK-në duke e inkurajuar për punë edhe më të madhe në të ardhmen ku kjo forcë po shkon në krijimin e një ushtrie dhe ka aspirata për t’u anëtarësuar në NATO.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Francesco Paolo Figliuolo, përfaqësues të NATO-s, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracy Ann Jacobson, ambasadorë dhe atashe ushtarak të akredituar në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se Qeveria që ai drejton do të përmbushë të gjitha detyrat që FSK të bëhet Forcë e Armatosur të Kosovës, e cila do të jetë e gatshme për t’i shërbyer paqes, luftës kundër terrorizmit dhe sigurisë në rajon.

Gjatë ceremonisë zyrtare të dorëzim-pranimit të detyrës të komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kryeministri theksoi se Kosova është krenare me FSK-në dhe punën e saj, gjithashtu krenohet me punën e komandantit Kadri Kastrati, për punën e tij në përgatitjen e saj në një forcë profesionale.

“FSK është bërë faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit, duke kontribuar në misione paqeruajtëse. Besojmë që Rrahman Rama do të vazhdojë rrugën e transformimit në Forcë të Armatosur”, ka thënë ai

Kurse, Kadri Kastrati ka thënë se krenohet me arritjet e FSK-së dhe është gati të marrë përgjegjësi të reja.

“Rrahman Rama po merrni FSK në një proces shumë të rëndësishëm dhe do të vazhdoni transformimin e saj “, ka thënë Kastrati.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: