Nga: GERILINA KODHELI*
TIRANE – Falë karakterit të tij të veçantë dhe stilit unik në të kënduar, Young Zerka u bë shumë shpejt një nga emrat më të dashur të audiencës shqiptare. Këngëtari i reggaeton-it e ka nisur karrierën me bashkëpunime me disa nga emrat më të rëndësishëm të muzikës, si Alban Skënderaj, Aurela Gaçe, Kastro Zizo apo Dhurata Dora. Pas këtyre sukseseve, Zerka iu bashkua tregut të muzikës si solist, me hitin e verës së shkuar “Boom Boom”. Tashmë këngëtari sjell single-in e tij të dytë solo, këngën “Like Rihanna”, e cila që nga titulli duket se ironizon femrat që imitojnë divën e muzikës. Por cili është mendimi i artistit për këto vajza, raporti me marijuanën dhe vajzën e klipit “Si Rihanna”? Young Zerka na i rrëfen të gjitha në intervistën për “VIP Pages”, përfshirë edhe marrëdhënien e tij aq shumë të komentuar me Ronela Hajatin.

Young, sapo ke publikuar këngën e re “Like Rihanna”. Është një këngë ndryshimesh për ty, apo jo?
Nuk besoj se është një këngë ndryshimesh, për faktin se është një rrymë në të cilën kam lëvruar gjithmonë. Thjesht kanë ndryshuar bashkëpunëtorët. Në këtë rast është Big Bang, të cilin e falënderoj shumë.
Tashmë që vjen me këtë projekt dhe pa një kontratë, cilat janë planet e tua?
Unë jam njeri i rregullt, gjithmonë funksionoj me kontrata. Planet janë fokusimi më i madh në karrierën solistike.
Pse “Like Rihanna”, kujt i referohesh?
Është më tepër një figurë artistike. Ka të bëjë me origjinalitetin që çdo njeri duhet të ketë, sepse askush nuk mund të ketë sukses dhe të arrijë atë që do duke u përpjekur të bëjë si dikush tjetër, apo t’i ngjajë një idhulli.
Beson se në tregun shqiptar mungon origjinaliteti?
Kjo është diçka relative, çdokush e shikon në këndvështrimin e tij. Unë personalisht mundohem të jem sa më origjinal të mundem; se sa e arrij atë, s’më mbetet ta them unë.
Cila është vajza që interpreton rolin e Rihanna-s në video dhe çfarë raportesh ke me të?
Vajza është një modele shumë e mirë nga qyteti i Gjakovës dhe quhet Larglinda Bilalli. Arsyeja që kontaktova me të ishte pikërisht një set fotosh me këtë ‘look’, ndaj mendova që ishte më e përshtatshmja. Kemi marrëdhënie pune dhe respekti dhe e falenderoj për disponibilitetin.
Je fans i Rihanna-s?
Mendoj se e pëlqen një botë e tërë, pse duhet të bëj unë përjashtim?!
Një nga fjalët e përdorura në tekstin e këngës është marijuana. Në fakt, muzika reggae atashohet shpesh me marijuanën. Ti personalisht, e ke përdorur ndonjëherë?
Po ta lexosh mirë tekstin, është një frazë për gjeste të krahasuara me ato që bën Rihanna në klipe, domethënë vajza që mundohet të bëhet si Rihanna, asgjë më tepër se kaq.
Çfarë qëndrimi ke për legalizimin e marijuanës në Shqipëri?
Unë jam artist, jo qeveritar.
“Like Rihanna” është kënga e dytë solo. Do t’u rikthehesh bashkëpunimeve?
Nuk e di, ndoshta. Ende nuk kam vendosur asgjë.
Cili është projekti i radhës dhe kur do të lançohet?
Sapo e kam nxjerrë një këngë, është shpejt për një datë konkrete të një projekti tjetër.
Nuk mund të mos pyes për marrëdhënien që ke me Ronela Hajatin. Komentoheni shumë në publik; çfarë lidhjeje keni?
Nuk mund të mos them as unë, që nuk do më pyesje. E di që na komentojnë në publik, na bëjnë edhe ‘like’ (qesh). Kam marrëdhënie njerëzore, si me ty e si me të gjithë.
Cila është dhurata që more për Shën Valentin? Ku dhe me kë festove?
Mora pagesat e koncerteve për Shën Valentin (qesh). Festova në koncert, nuk jam tip tradicional i festave.
Sa e domosdoshme është dashuria për një artist? Të qenit single të frymëzon më shumë, apo të qenit i dashuruar e luan rolin e muzës?
Mendoj se njeriu edhe single duhet të jetë i dashuruar. Dashuria është ndjenja më e bukur, dhe kjo nuk mund të shprehet vetëm në muzë për diçka seksuale. Dashuria duhet të jetë 24 orë, për familjen, natyrën, njeriun. Kështu që, besoni ose jo, unë e gjej muzën në çdo hap që hedh.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: