Nga Shefqet Dobra
Kur shkova në Spaçin e Mirditës, në ferrin e të gjallëve, aty gjeta Kristo Lolin. Kriston e kisha njohur: vetëm si njeri të hipur në kalë, në kohën kur, ne punëtorëve e bujqësisë, do pastronin rrodhet e deleve; para se të qetheshin, ishte një punë shumë e vështirë, na bëheshin duart gjak prej rrodheve. Kristo ishte arumun. Përgjithësisht, arumunët apo çobejtë, si i quanim më së shumti, me blegtori merreshin. Këta ishin popull shëtitës, fati i tyre qe mbetën në Shqipëri, se u mbyllën kufijtë pas fitores së komunizmin, përndryshe, kush e di nga do kishin shkuar. Së pari, u konfiskuan bagëtitë, kuajt e mushkat, mandej, disa i çuan në ferma disa nëpër kooperativa. Kristo, në vitet shtatëdhjetë, ishte përgjegjës i blegtorisë së imët, për gjithë ndërmarrjen “29 Nëntori” të Lushnjes, veçse me kalë, mund t’i ndiqte, kudo që të ishin kopetë. Dy here, e kisha parë gjithsej.

Si çobanët, apo vllehët, që kishin mbetur këtu, edhe kosovarët, të cilët, të dashuruar pas propagandës që i bënte Radio-Tirana e gazetat, lumturisë që gëzonte e jetonte populli në Shqipëri,- Si thoshte një plak: – ne jemi: lulëkuqe përjashta e furufuk nga brenda – d.m.th., kush dëgjonte ç’thoshte radio – luste Zotin të vinte në Shqipëri, kurse shqiptarët, rrezikonin jetën të arratiseshin, të shpëtonin nga “lumturia” mjerane, që i kishte zënë, kosovarëve “fërrt”, ua bënte mendja dhe vrap vinin te ne, të gëzonin parajsën e lumturisë së rreme socialiste.

Gënjeshtra të merr mendjen me bukurinë e jashtme por, të merr frymën, kur të “gllabëron”. Eh si është kjo jetë, disa braktisin nënën e tyre, se u duket njerka më e mirë dhe, mbeten pa as njërën. Fillimisht, kosovaret, sapo futeshin këndej kufirit, i nënshtroheshin një hetuesie të rreptë, se mos kishin ardhur për agjenturë, pastaj i binin nëpër kampet e internimit, të shijonin lumturinë e ëndërruar. Këta e pësonin si ai që tregojnë: O babë, zura një hajdut!- i tha djali.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

-Bjere këtu qenin e birin e qenit!- i tha baba.
-Po ky, nuk më lëshon mua, o bab!- i tha djali.
-Po, pse nuk thua: Të ka zënë ai ty, jo ti hajdutin- i tha baba!
Tani, këta nuk mund të ikin ashtu si shkonin nga Kosova në Zvicër, e ku të donin, këtu, kushdo që futej këtu, nuk mund të kthehej më nga kishte ardhur, por, kishin dy rrugë: o të bëheshin spiunë, për ne e për njeri tjetrin, o të dënoheshin ashtu si dënoheshin shqiptarët, që donin të arratisen. Shqiptarët iknin nga halli, këta e kërkuan si; “breshka te nallbani”!

Të gjithë në burg ose kampe internimi, me ne ishin.
Kristua, në Spaç, ishte përgjegjës i zonë së tretë. Kuadër, ishte përsëri, por jo me tufë bagëtish, por me tufën njerëzish, bashkë me ta, i rrethuar me tela e me polic, që nuk e lëshonin kërbaçin nga dora.
Mua më caktuan në zonën e dytë, ishte më e vështira, kishte pirit, që ishte shumë i rëndë kur e merrje ta hidhje në vagon, pa le kur të binte vagoni nga shinat – se nga lagështia e tepërt, shinat lëviznin, temperatura brenda në galeri shkonte deri në 35-40, gradë, uji ishte me acid, atë do pinim, të gjitha të këqijat i kishte kjo zonë -(galeri). Por, më e keqja ishte se, të qëllonte të ishe në grup, me shokë që nuk punonin dhe: o duhet të bëje punën e shokëve, o të pranoje ndëshkimin që ishte…! Ata që e kanë provuar e dinë.

Për të shpëtuar nga ky hall i madh, mendova: veçse Kristo, nuk mund të më ndihmojë tjetër njeri- edhe se nuk kisha fol kurrë me të. Megjithatë, një mbrëmje, ju drejtova si lushnjari lushnjarit – në fakt, as ai as unë, nuk ishim lushnjarë, por në Lushnje kishim banuar. I fola dhe i thash: – Meqë edhe kryetari i Zyrës Teknikë është çoban, a më ndihmon….?! Pasi ja sqarova arsyen – më tha: “Ku do të shkosh”?

-Në grupin e Muharrem Xhydollarit, bëhemi një grup që nuk na shkon kot puna dhe, meqë unë njoh të afërmit e tij, jam më i sigurt për….. i kupton vet ti! Megjithëse për fjalën e fundit, u pendova, nuk e dija ç’njeri ishte dhe… aty, askujt nuk mund t’i besoje.

“Pa merak” – më tha. Disa më thanë se, duhet t’i premtoja diçka, po unë, nuk bëra se, po të ishte i ndershëm, do ofendohej, po të ishte rezil, do e kërkonte vetë shpërblimin. Muajin tjetër, emri im ishte në grupin që kërkova. U thash shokëve – unë nuk e kam njohur më parë veçse e kam par të hipur në kalë, thoshin se ishte përgjegjës blegtorie, por kaq. Thonë se njerëzit, bëhen të vlefshëm, kur përballen me vështirësi, Kristua, ndoshta, i tillë ka qenë, që tani është këtu. Atë që nuk e ke njohur nga afër, nuk është mirë ta paragjykosh.

Një ditë të diele që e bëmë pushim, rastisi që të takohemi – se turnet na bënin që nëse nuk i bënim të dielat pushim, një muaj nuk takoheshim- dhe unë, mendova ta falënderoja Kriston.

– “Ah more djalë, po s’ka përse të më falënderosh- më tha- nuk nuk bëra ndonjë gjë e madhe, punëtor je prap në të njëjtën galeri”.

-Se ne nuk kishim ndonjë njohje më parë, veçse si lushnjar- i thash.
-Thua ti- më tha. Po, edhe si lushnjar, kaq gjë, pse mos ta bëja”.
-Për mua, është nderë i madh- i thash. Pasi biseduam ca e pyeta: Ti kishe një vend pune të mirë, përse të dënuan? Apo… si çoban?
-“Më ke njohur në atë kohë ti”? – më tha.
-Të kam par, kur vije me kalë në Tërbuf, kur ne pastronim rrodhet deleve. Qeshi.
-Natyrisht që si çoban. Më akuzuan për agjenturë – më tha.
-Me atë grup ishe edhe ti? – i thash. Ça nuk flitej për ju! Thoshin: – Kanë kapur një grup çobanësh shumë të rrezikshme, si thoshte njëri nuk thoshte tjetri, secili, shtonte diçka. Në çdo mbledhje, kur flitej për armiq, ose diskreditonin ndonjë, grupin tuaj merrnin si shembull. -Në fakt, ishe e vërtetë? – e pyeta
-“Ata kështu thoshin, po në punë më arrestuan”! Por, koha kur më akuzonin, unë kisha qenë ushtar dhe, mendova me mendjen time se, për atë gabim, unë do fitoja pafajësinë – se kisha fakte për ta rrëzuar akuzën, vendosa: të pranoja hetuesinë, trajtimin mizor që më bënë- se po të mbrohesha me gabimin që kishin bërë ata, hetuesia do bënte ndryshime. Kurse te gjykata, kisha besim, por, kisha gabuar. Edhe gjykata: ose nuk mundje të rrëzonte hetuesinë ose, ishte e njëjtë me hetuesinë.
Kur ata thanë pikërisht atë që doja unë. At’herë, unë iu drejtova trupit gjykues: Zoti gjykatës, më akuzoni se unë me këta që më keni bërë grup, takoheshim një të huaj, po kush ishte ai i huaj, çfar ishte: grek apo serb, a çfar dhe pse nuk është ai me ne”?!
-“Ne duam të na e thoni ju”!- tha
– “Po që unë, në atë kohë, kam qen ushtarë, e dini ju”?- thash
-“Si”! – tha gjykatësi.
-“Po zoti gjykatës, së pari, këta me cilët më keni përzierë, nuk kemi qenë kurrë bashkë, as nuk i njoh, e dyta dhe më e rëndësishmja, në këtë kohë, kam qen ushtar, mund të interesoheni te reparti ku kam kryer shërbimin. Për këtë, i lutem trupit gjykues, për mua të gjykojë drejtë dhe, t’më japë pafajin, sipas ligjit”. Pa e prishur terezinë, gjykatësi –tha; mund të jetë bërë ndonjë gabim, njerëzit bëjnë dhe gabime.
-“Nëse njerëzit bëjnë gabime, pse duhet të dënohem unë gabimisht”?
-“Se me agjenturë je marrë- më tha. Është gabuar viti, nuk ka rëndësi kjo”- tha ai.
-“Ka shumë rëndësi, shoku gjykatës – thash – se: nëse me dokumente vërtetojnë që kam qenë ushtarë, akuza del e rreme” – thashë.
-“Eh more djalë, këto ishin komedi që luheshin në errësirë”- më tha- Kristo.
-Pse në errësirë? – e pyeta.
-Po… më shikoi- po një shtëpi pa derë pa dritare, nga do i futet drita, ashtu jemi ne; vend i izoluar, as hyn a del njeri, jemi të izoluar nga gjithë bota, errësirë e shkuar errësirës jemi; bëjnë si të duan me e ne, na akuzojnë e na dënojnë për ça të duan, edhe me pushkatim, kot fare, nuk pyet njeri, kush di ç’bëhet këtu, kush do kërkoj llogari, jemi të shkëputur nga bota. Unë e shikoja, nuk ndjehesha mirë, veçse e dëgjoja.
-“Mirë pezullojmë gjyqin”- tha gjykatësi. “Merreni çojeni atje! Kur ti rregullojnë këto lajthitje, u bëjmë gjyqin, t’u japim atë që meritojnë armiqve”! “Në vend që të merrja pafajësinë; që ishte plotësisht e justifikuar për mua, filloi hetuesia për së dyti dhe më e vështirë; ndërruan vitin dhe datat, edhe hetuesin. Më dënuan 25-vjet. Kjo ishte drejtësia jonë. Këto ishin gjyqtarët dhe hetuesit tonë.
Kur desha të kundërshtoj unë, më dhanë një të shtytur sa desh u përplasa në derë, mos më kishte kapur një nga policët. Ne akuzohemi si ‘armiqtë’ për agjenturë, edhe se nuk kanë fakte. Ky qe fati i jonë”! -tha. “Por nuk kuptoj një gjë, përse u duhet që na dënojnë kot? Mos u buzëqeshte buza, u lëngoftë shpirti, ashtu si na lëngon ne dhe familjeve tona”- shtoi Kristo. Zoti, e dëgjoftë këtë që thua ti!- i thashë. Memorie.al-Marrë nga gazetadiell.com

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: