Para se e ftuara e parë, Elisa Spiropali, të niste rrëfimin për jetën e saj në programin “Dola te Ola”, vëllezërit korçarë i uruan mirëseardhjen me këngën “Kaçurrelat si at’herë”.

Për Elisën kthimi nëpër kujtimet e saj nisi me një foto të gjyshërve, me të cilët ajo ka jetuar në të njëjtën shtëpi. Sipas saj fëmijët që rriten me gjyshërit janë më të dhembshur dhe më të dashur.

Gjatë bisedës ministrja zbuloi diçka shumë të veçantë, ajo rrëfeu se vëllai i saj kishte ardhur në jetë 4 vjet më vonë se ajo, por në të njëjtën ditë me ditën e saj të lindjes, më 15 mars. Me buzëqeshje Elisa kujtoi se që nga ajo ditë nuk kishte festuar më ditëlindje vetëm, por në familje bëhej një festë për të dy.

Spiropali foli edhe për njohjen me bashkëshortin, të cilin e ka njohur në 2010-n. Bashkëshorti i saj ka qenë aktivist në Partinë Socialiste në atë kohë, por jo shumë aktiv. “Kuptohemi shumë mirë dhe është një mbështetje e madhe në jetën time. Është një njeri shumë i vendosur dhe me njerëz të tillë është shumë e lehtë”, u shpreh Elisa për marrëdhënien që ka me të.

Ministrja është nënë e dy fëmijëve dhe gjatë të dyja shtatzënive ka qenë e angazhuar në politikë deri ditën e lindjes së tyre. Ajo tregoi se gjatë shtatzënisë me djalin, vajza bëhej xheloze, por pasi ai lindi gjërat ndryshuan. Elisa tha se pengu që e shoqëron në këtë periudhë fushate është pamundësia për të kaluar shumë kohë me fëmijët.

Moment emocionues për të ishte një videomesazh i shkurtër, por plot dashuri nga vajza e saj, “Përshëndetje mami, unë të dua shumë. Të uroj suksese, you are the best”, fjalë të cilat i pëlqyen shumë Elisës dhe tha se fëmijët janë frymëzim për të.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb