Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj masave të shtuara të sigurisë të vendosura nga Policia e Shtetit përreth Kuvendit, duke i cilësuar ato si një akt të papranueshëm.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi u shpreh se rrethimi i Parlamentit me një perimetër të zgjeruar sigurie dhe prania e një numri të madh efektivësh policie në godinën e Kuvendit nuk justifikohen, pasi sipas tij, qytetarët që protestojnë nuk përbëjnë rrezik.

Ai akuzoi Policinë e Shtetit edhe për pengimin e punës së gazetarëve, duke thënë se kufizimi i lëvizjes dhe raportimit të mediave përbën cenim të lirisë së medias.

“Rrethimi i Kuvendit në një perimetër të zgjeruar dhe prania e paprecedent e një numri të madh të punonjësve të Policisë së Shtetit në godinën e Kuvendit, është një akt i shëmtuar dhe i papranueshëm. Askujt nuk i rrezikohet jeta nga qytetarët që protestojnë.
Policia e Shtetit ka arritur deri aty sa pengon lëvizjen e lirë dhe raportimin e pashqetësuar të punonjësve të medias, cka përbën një kufizim të papranueshëm të lirisë së medias.
Duhet menjëherë të hiqet dorë nga një sjellje e tillë e papranueshme dhe të lejohen qytetarët të protestojnë qetësisht dhe ku ato të dëshirojnë. Kufizimi i lirisë së tubimit nuk mund të jetë një akt i pranueshëm në një vend kandidat për në BE”, shkruan ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb