Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e PD-së dhe LSI-së për mocion me debat urgjent me kryeministrin Edi Rama në Kuvend për deklaratën e tij se Shqipëria do ndryshojë kurs nëse në qershor nuk hapen negociatat e anëtarësimit.

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha sot në parlament  se kërkesa që është paraqitur në Kuvend ka qenë pa firmën e Berishës. Sipas tij, ky është një reflektim dhe hap i madh, pasi asnjë kërkesë me firmën e “non-gratës” sipas tij, do refuzohet.

“Dy fjalë për aspektin formal lidhur me paraqitjen e kërkesës dhe kundërshtitë e saj me rregulloren e Kuvendit.
Kjo kërkesë nuk përmbush atë që përcakton neni 98 i rregullores dhe si i tillë aspekti formal nuk përmbushet.
Në fakt dua ta falënderoj propozuesin që në kërkesën që kanë depozituar në Kuvend nuk është kërkesa në fakt që ka qarkulluar në media, sepse në kërkesën që kemi në Kuvend nuk është firma e non-gratës dhe pse në media ka qarkulluar një tjetër. Ky është reflektim i madh që keni hequr dorë nga dokumente ku përfshihet non-grata sepse e dini ajo refuzohet menjëherë, pa asnjë lloj argumenti. Është hap i madh dhe keni kuptuar që të mos sillni më kërkesa me firmën e non-gratës. Nuk do të miratohet kjo kërkesë nga ana jonë. E para më vjen keq që nuk keni kuptuar asgjë. E dyta, nëse doni instrument parlamentar për t’u sqaruar për këtë çështje, keni instrumentin e interpelancës, instrumentin e seancës së pyetjeve, por me mocion me debat për këtë çështje, se Shqipëria në rast se në qershor nuk do të mbahet konferenca ndërqeveritare për shkak të bllokimit bullgar, Shqipëria të ketë të drejtën të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut, kjo është një çështje që është në të drejtën tonë. Kemi zhvilluar një proces shumë të gjerë konsultimi me qytetarët shqiptarë. Më shumë se 55 mijë familje shqiptare kanë marrë pjesë në këtë proces. Besoj që 2/3 e familjeve shqiptare i janë përgjigjur pozitivisht kësaj çështjeje. Në qershor do kemi natyrshëm më shumë diskutime sepse në qershor ne presim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Franca, si presidenca e radhës e BE-së po bën të gjitha përpjekjet që Konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet. Meqenëse kam dhe pak kohë dua ta them shumë qartë, Shqipëria nuk mund të jetë dëmi kolateral i një çështjeje ku Shqipëria nuk është pjesë fare. Në debatin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Shqipëria nuk ka pse të merret peng. Shqipëria ka gjithë të drejtës që pas 4 vitesh, ku në të gjitha raportet thuhet se i ka përmbushur 100% të gjitha kushtet për çeljen e negociatave, natyrshëm që Shqipëria ka të drejtë që në këtë rrugë të mos merret peng nga një debat mes dy vendeve të tjera”, deklaroi Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb