Vladimir Putin tani e di me siguri se Helsinki nuk do të ndjekë hapat e tij dhe se Rusia, duke përjashtuar surprizat e bujshme, është e destinuar të ndajë mbi një mijë kilometra të kufijve të saj me Aleancën Atlantike.

Presidenti finlandez, Sauli Niinisto, telefonoi drejtpërdrejt për ta informuar presidentin Putin, që vendi i tij i ka bërë një kërkesë zyrtare NATO-s, e cila po përgatitet të përgjigjet, në takimin e ministrave të jashtëm në Berlin. Përgjigja e presidentit rus ishte e akullt: Braktisja e neutralitetit ushtarak të Helsinkit pas dekadash “është një gabim i rëndë” dhe përbën një kërcënim për Rusinë që nuk mund të mbetet pa përgjigje.

Moska ka dërguar tashmë sinjalet e para. Ashtu siç ishte premtuar, gjatë natës së së premtes dhe të shtunës tashmë ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për shtetin fqinj, siç konfirmohet nga operatori finlandez. Një veprim i motivuar nga Rao Nordic, kompania përgjegjëse për shitjen e energjisë elektrike ruse në Finlandë. Jo vetëm kaq. Pikërisht në orët kur Niinisto dhe Putin po flisnin në telefon, Kremlini urdhëroi fillimin e stërvitjeve mbi qiellin e Detit Baltik, me një duzinë avionësh luftarakë Su-27 që u ngritën me qëllim të simulimit të shtytjes së një sulm ajror në enklavën ruse të Kaliningradit, një port që ndodhet midis Polonisë dhe Lituanisë. Por në atë që është përshkruar si një bisedë “e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë” me Niinisto (që në terma diplomatikë zakonisht tregon një bisedë të ngushtë dhe të tensionuar) Putin do të kishte lënë të kuptohet për një reagim shumë më të ashpër ndaj zgjerimit të NATO-s. “Rusia nuk ka synime armiqësore në lidhje me Finlandën dhe Suedinë”, tha zëvendësministri i Jashtëm Aleksandër Grushko, duke nënvizuar megjithatë se kjo lëvizje “nuk do të mbetet pa një reagim politik”.

Ditët e fundit, Moska kishte kërcënuar një “hakmarrje tekniko-ushtarake”, e cila sugjeroi gjithashtu një vendosje të mundshme të armëve taktike bërthamore pranë rajonit të Balltikut. “Por është shumë herët për të folur për këtë,” tha Grushko. Edhe pse Putin ia sqaroi presidentit finlandez pasojat e vendimeve të tij, që “Nuk ka asnjë kërcënim nga ana jonë për sigurinë tuaj. Por hyrja juaj në NATO do të ndikojë vetëm negativisht në marrëdhëniet me Rusinë”. Teksa nga Kievi Mikhailo Podoliak, këshilltari më i afërt i Presidentit Voldymyr Zelenski, flet për një NATO të destinuar të zërë rrënjë “në periferi të Shën Petersburgut”, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov akuzon Perëndimin se tani ka shpallur “luftë totale hibride kundër Rusisë”. Ndërsa nga nënkryetari i Komisionit të Mbrojtjes të Dumës, Aleksey Zhuravlyov, vjen një tjetër kërcënim: “Rusia mund të godasë Finlandën me një raketë hipersonike në vetëm 10 sekonda”.

Ndërkohë në Gjermani krerët e diplomacisë së vendeve aleate janë thirrur për të përgatitur terrenin për zgjerimin e planifikuar. Në tryezë, megjithatë, është nyja e Ankarasë që vazhdon të ndërtojë një mur: “Suedia dhe Finlanda po mbështesin terroristët e PKK-së, të cilët na sulmojnë çdo ditë”, përsëriti në Berlin ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

“Eshtë e papranueshme, shtoi ai, që vendet aleate dhe miqtë të mbështesin terroristët”. Megjithatë, ajo e Rexhep Tajip Erdogan nuk do të ishte një mbyllje totale dhe për ta shpjeguar këtë ishte zëdhënësi i tij Ibrahim Kalin: “Turqia nuk e ka mbyllur derën për pranimin e Suedisë dhe Finlandës, por dëshiron të negociojë me ta për një goditje ndaj aktiviteteve te organizuara terroriste, në Stokholm”. Në Berlin është edhe Luigi Di Maio, i cili u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe përsëriti se si Bashkimi Evropian duhet të jetë në ballë për të arritur paqen. Italia, nënvizoi kreu italian, po punon me partnerët për të hapur “një tryezë që përfshin institucionet ndërkombëtare dhe vendet që mund të ushtrojnë ndikim mbi Putinin dhe ta bindin atë të ndalojë luftën”. Por ndërkohë në Romë, fronti i brendshëm është në flakë, me Matteo Salvini që sheh rrezikun për të shmangur paqen duke zgjeruar kufijtë e NATO-s dhe Partia Demokratike flet për “ndihmë të qartë ndaj Putinit” nga lideri i Lega.

(Ansa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb