TIRANË- Që nesër rritet çmimi i biletës për transportin urban e kështu çdokush që udhëton në kryeqytet do duhet të paguajë 10 lekë më shtrenjtë biletën. Por, Bashkia e Tiranës premton se rritja e çmimit do sjellë edhe përmirësim të shërbimit.

Sipas nënkryetarit të Bashkisë, Arbian Mazniku janë 10 masa ato që duhet të zbatojë çdo linjë e transportit urban, e për këtë, Bashkia e Tiranës do vërë në terren policinë Bashkiake dhe AMK, (Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit) për të parë nëse zbatohen masat e parashikuara.

“Nga nesër, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Policia Bashkiake do të kryejnë në mënyrë të vazhdueshme kontroll kundrejt kompanive, për t’u siguruar që 10 masat kryesore të vendosura nga bashkia për përmirësimin e shërbimit të zbatohen. AMK dhe Policia Bashkiake do të kenë detyrë për të kontrolluar në mënyrë të vazhdueshme linjat, por në këtë pikë na duhet edhe ndihma e çdo qytetari, që nëse ka shkelje të këtyre rregullave, prezencës së autobusëve në stacione, orareve, pastërtisë së tyre, komunikimit nga ana e personelit të autobusëve, të na raportojnë, në mënyrë që të kemi mundësi të marrim masa”, u shpreh Mazniku.

Ndër këto masa, parashikohet respektimi rigoroz i orareve, respektim i frekuencës në stacion, respektimi i shpejtësisë së lëvizjes, pajisje me kondicion që është në punë gjatë gjithë kohës së udhëtimit, pastërtia e mjeteve si brenda dhe jashtë, informacion për oraret dhe lëvizjen, pajisja me uniformë e personelit, etj.

“Nuk do hezitojmë që të marrim çdo masë që na lejon ligji ndaj kompanive që do kenë shkelje të këtyre masave apo që do kenë shkelje në mënyrë të përsëritur, deri në heqjen e licencës”, përfundoi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

10 kushtet e vendosura nga Bashkia e Tiranës për kompanitë e transportit publik:
1. Të respektohet me rigorozitet orari i fillimit dhe mbarimit të shërbimit;
2. Të respektohet frekuenca në stacionet e autobusëve;
3. Të respektohet shpejtësia e lëvizjes së mjeteve, në mënyrë që mjetet të mos lëvizin më ngadalë se ajo që duhet;
4. Gjatë kryerjes së shërbimit, mjetet do të qëndrojnë në çdo stacion të linjës, për të mos kapërcyer stacionet, siç ndodh ndonjëherë;
5. Të gjithë mjetet e transportit publik qytetas të udhëtarëve do të jenë të pajisura me emrin e linjës, ngjyrën, numrin e dokumentacionit të nevojshëm në mjetet dhe shenja të tjera të identifikimit;
6. Mjetet e transportit publik duhet të jenë të pajisur me kondicionerë funksionalë, të cilët duhet të jenë gjithmonë në punë;
7. Mjetet e transportit publik duhet të jenë të pastër si nga jashtë ashtu edhe nga brenda;
8. Kompanitë do të vendosin në mjediset e jashtme të transportit, informacionet për oraret, itineraret dhe frekuencën e lëvizjes si dhe duhet të pajisin mjediset e brendshme të mjeteve me informacione për oraret, itineraret dhe frekuencën e lëvizjeve;
9. Personeli i mjeteve të transportit publik duhet të jetë i pajisur me uniformë, elementë identifikimi përkatës;
10. Përmirësimi i marrëdhënieve me qytetarët, nuk do të tolerohet asnjë keqkomunikim me qytetarët.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: