Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar përplasjet brenda Partisë Socialiste dhe deklaratat e fundit të Elisa Spiropalit, duke kritikuar qëndrimin e saj ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Toska e krahasoi Spiropalin me një person që e sheh veten në pasqyrë më të madhe nga ç’është në të vërtetë, duke argumentuar se ajo nuk ka arritur të krijojë një profil të pavarur politik brenda PS-së. Sipas gazetarit, ish-ministrja e Jashtme u kujtua të bëjë kritika ndaj qeverisë vetëm pasi iu prekën interesat personale.

Ai solli në vëmendje disa prej çështjeve për të cilat, sipas tij, Spiropali nuk ka reaguar më parë, përfshirë taksimin, largimin e bizneseve, sulmet ndaj mediave dhe akuzat për korrupsion.

“Spiropali mirë që u kujtua të flasë, por u kujtua vonë dhe kur iu prek interesi personal. Kur shqiptarët përplaseshin me qeverinë për taksa të padrejta, kur merrnin çantat dhe iknin, kur mediat e ndryshme sulmoheshin, kur bëhej korrupsion, ajo nuk foli”, u shpreh Toska.

Gazetari theksoi se Spiropali mbahet mend kryesisht për shprehjen e saj të famshme “Skënderbeu, Mamica; Mamica, Skënderbeu”, drejtuar Edi Ramës, dhe jo për qëndrime kritike ndaj qeverisjes së tij.

Sipas Toskës, reagimet e saj të fundit erdhën pasi ajo u largua nga qeveria dhe pasi, siç pretendon ai, Tatimet shkuan pranë biznesit të bashkëshortit të saj.

Gjatë intervistës, gazetari ngriti edhe pikëpyetje për interesat ekonomike të familjarëve të Spiropalit. Ai përmendi përfitimin e një parku fotovoltaik në tokë bujqësore nga bashkëshorti i saj dhe tenderat që, sipas tij, ka marrë vëllai i bashkëshortit. Toska vuri në pikëpyetje nëse Spiropali ka kredibilitetin e duhur për të bërë sot kritika politike, në kushtet kur edhe familjarët e saj janë përmendur në këto çështje.

“Bashkëshorti i saj ka përfituar park fotovoltaik në tokë bujqësore. Vëllai i bashkëshortit të saj ka marrë tendera. A ka moral Spiropali që është e përfshirë në afera?”, u shpreh ai, duke shtuar se nëse ajo arrin të përballet me këto çështje përpara drejtësisë dhe të marrë mbështetjen e qytetarëve, mund të vijojë betejën e saj politike.

Toska deklaroi se, sipas vlerësimit të tij, Spiropali po zhvillon një betejë për interesat e veta dhe jo për qytetarët shqiptarë. Ai shkoi më tej në kritikën e tij, duke thënë se karriera e saj politike është e mbyllur dhe se ajo nuk mund të shkëputet nga roli që ka pasur në raport me kryeministrin.

“Mbështetja që i ka dhënë Edi Rama dhe pozicionet që i ka besuar, nga drejtuese e Doganave te ministre e Jashtme, janë ato që e kanë bërë Spiropalin figurën që është sot”, u shpreh gazetari.

Në vijim, Toska komentoi edhe përjashtimin e saj nga strukturat e Partisë Socialiste, duke ngritur pikëpyetje mbi vendimin e Ramës dhe arsyet që e çuan kryeministrin të ndërmerrte këtë hap.

Sipas tij, përplasja dëshmon nivelin e përqendrimit të pushtetit brenda PS-së dhe mungesën e hapësirës për zëra kritikë. Ai theksoi gjithashtu se Spiropali nuk e ka bërë përgjegjës drejtpërdrejt Ramën për problematikat që ka ngritur.

Në përfundim, Toska u rikthye te krahasimi me Mamicën, duke thënë se pavarësisht ambicieve që mund të ketë Spiropali, në perceptimin e tij publik ajo mbetet e lidhur politikisht me kryeministrin.

“Mbase asaj i duket vetja mbretëreshë, apo mendon se mund të kemi në Shqipëri një kryeministre grua, por në syrin e opinionit publik ajo nuk është asgjë më shumë se Mamica e Edi Ramës”, deklaroi Almer Toska.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb