Në studion e emisionit “Open” në News24 mbrëmjen e djeshme është diskutuar në lidhje me zhvillimet ekonomike të premtuara nga kryeministri Rama për rritjen e pagës mesatare në të ardhmen në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Sipas ekspertit të ekonomisë Bardhi Sejdarasi ministria e Financave ka zgjedhur një model për strukturimin e gjithë pagave në vend, gjë që do sjellë edhe rritjen e premtuar nga qeveria së fundmi të rrogës mesatare në administratë në 900 euro.

Nga ana tjetër anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Dorian Teliti ka deklaruar se rritja e pagave në 900 euro është e papërballueshme për buxhetin e shtetit sepse do të sillte një rritje prej 35% të fondit për këto paga, që sipas tij përkthehet në rreth 350 milionë euro.

Sipas tij premtimi për rritjen e rrogave ka ardhur për shkak se kryeministrit Rama i “kanë dalë keq sondazhet”, gjë që e ka detyruar të “bëjë premtime boshe”.

Pjesë nga biseda:

Sejdarasi: Ajo që është bërë gati dhe mbi bazën e të cilës janë bërë deklaratat mbi pagat, janë duke strukturuar pagat në gjithë vendin. Ky model është zgjedhur nga ministria e Financave. Ka 2 vite që po punohet për këtë reformë. Pagat e administratës janë më të ulëta se rajoni. Ministrja sot tha që të ardhurat fiskale të qeverisë janë mundësi për të rritur pagat e sektorit publik. Numri i atyre në administratë është rreth 150 mijë veta. Flitet për këtë kategori. Paratë sipas ministres janë.

Teliti: Ku janë paratë, nga gjenden paratë? Ta çosh në 900 euro rrogën mesatare është e papërballueshme për buxhetin e shtetit sepse do rritet paga aktuale me 35%. Fondi shkon rreth 98 miliardë lekë të reja. Të rrisësh me 35% këtë fond do të gjenden 350 milionë euro.

Sejdarasi: Nga viti 2014 është rritur paga me 40%. Kjo ka ndodhur në 9 vjet.

Teliti: Kjo vlerë është sa 2% e PBB-së Kjo qeveri ka ardhur që në vitin 2013. Në atë vit ka qenë 450 mijë lekë të vjetra. Gjithë kjo puna e shkëlqyer përkthehet në rritje deri në 660 mijë lekë, kjo rritje ka ardhur për shkak të pagës minimale. Fakti që sot ka shkuar nga 220 mijë lekë minimalja në 400 mijë lekë tregon rritje fiktive, nuk tregohet se ka rritje ekonomike për të rritur pagat. I dolën keq sondazhet kryeministrit dhe sot detyrohet të dalë me premtime boshe. Financat publike kanë diçka. Nëse nuk mbështeten me fakte mbrapa janë boshe. Nëse nuk ka mbështetje financiare siç nuk e ka e gjykojmë kështu. Të thuash diçka dhe të bësh diçka ndryshon.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb