Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Një telefonatë që Sokol Burhamaj (Lamaj), i cilësuar si kreu i organizatës kriminale, ka bërë me oficerin e policisë, Vladi-mir Zanaj, e ka çuar këtë të fundit prapa hekurave, si të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. Në dosjen e Prokurorisë për Krime të Rënda, thuhet se Sokol Burhamaj ka telefonuar zyrtarin e policisë duke e pyetur se, “kush ka shkuar lart në Ramicë?”, në fshatin ku më 19 gusht policia shkatërroi parcelat me hashash që kultivoheshin nga familja Lamaj. Shefi i sektorit të personelit në policinë e Vlorës e garanton Sokol Burmahajn, se do të interesohej ai se çfarë kishte ndodhur. Për prokuro-rinë kaq ka mjaftuar që të firmosë urdhër-arrestin për Zanajn, pasi telefonata ishte prova e qartë se ai ishte garant për kultivimin e drogës dhe njëherazi i dyshuar si anëtar organizate kriminale. “Nga hetimi ka rezultuar se këto parcela ishin kultivuar dhe mbaheshin në mbikëqyrje nga Neko Bruhamaj. Neko ka komunikuar fillimisht Fatos Bruhamaj dhe më pas Sokol Burhamaj (Lamaj) dhe i ka vënë në dijeni për prezencën e policisë te parcelat, duke u kërkuar që të lidheshin me personat që ata njihnin, me qëllim që të mos u asgjësoheshin bimët narkotike të mbjella. Sokoli ka telefonuar X, duke e pyetur se kush kishte shkuar lart te parcelat. Sokoli i ka thënë se me kë duhej të fliste dhe personi që dyshohet se është punonjës policie, ose i njohur i tyre, i ka thënë se do të interesohej ai”, thuhet në dosje. Efektivi Zanaj tha dje para gjykatës se s’ka lidhje me trafikun e drogës dhe pret që të flasë drejtësia. Të njëjtën gjë theksoi dhe avokati i tij. Sikurse Zanaj, në burg u lanë edhe pesë të dyshuarit e tjerë, mes tyre dhe Sokol Burha-maj, i cilësuar si kreu i organizatës kriminale.
Organizata kriminale
Po si funksiononte organizata kriminale, e cila kishte zgjedhur avionët sportivë, ultra të lehtë për të trafikuar drogën drejt Riminit? Në dosjen e prokurorisë për Krime të Rënda thuhet se të dyshuarit janë të gjithë pjesëtarë të dy grupeve familjare shqiptare Ahmetaj e Lamaj, të implikuar në trafik kokaine dhe marijuane. Nga hetimet e nisura një muaj e gjysmë më parë mbi bazën e një informacioni të ardhur nga Italia, ka rezultuar se pjesëtarët e familjes Lamaj kanë në dispozicion edhe një avion shumë të lehtë, prodhim ukrainas model “Aeropakt A22S”, me të cilin do të transportonin drogën. Sasia maksimale që vendosej në avion ishte 140 kilogramë dhe mjeti nuk kapej nga radarët sekondarë, ndaj për këtë arsye mësohet të jetë zgjedhur kjo mënyrë transporti. Mjeti fluturues pilotohej nga Vilsoj Lamaj, rezident në Rimini, i cili dispononte licencën përkatëse.
Nga hetimet ka rezultuar se grupi familjar Lamaj, përveçse është pronar i shumë parcelave me marijuanë në fshatrat e Vlorës, si: Ramicë, Xhyherine, Risili dhe përgjatë lumit të Shushicës, kishte në plan të kultivonte kanabis edhe në Rumani. “Nga hetimet është dokumentuar fakti që vëllezërit, Sokol e Vilson Lamaj më datë 6 korrik 2015 janë kthyer në Shqipëri, duke u nisur nga porti i Brindisit me traget. Sokol Lamaj duhet të qëndronte në Shqipëri për të ndjekur personalisht kultivimin e marijuanës dhe organizimin e ngarkesave për trafikimin në Itali. I vëllai Vilsoni mendohej se do të kthehej në Itali, ku do të priste urdhrat e të vëllait për t’u nisur me avionin e lehtë në drejtim të territorit shqiptar, ku do transportonte drogën”, thuhet në dosje.
Rolet e të dyshuarve
Prokurorët kanë mundur të zbardhin edhe rolin që secili prej të dyshuarve kishte në organizatë. Nga hetimet rezulton se Fatos Burhamaj, Neko Burmahaj, Fadil Shahaj dhe djali i tij Igli Shahaj punonin në parcela, duke vaditur e njëkohësisht ruajtur gjatë natës bimët narkotike. Vilson e Sokol Lamaj shkonin thuajse përditë në parcelat e drogës dhe interesoheshin për bimët, ku një pjesë ishte bërë gati për korrje. Grupi u godit mëngjesin e 24 gushtit, kur avioni sportiv i pilotuar nga Vilson Lamaj u bllokua në Itali dhe në bordin e tij u sekuestrua 120 kg drogë, që ishte ngarkuar në fshatin Xhelilaj të Vlorës, pranë Sevasterit. Në trupin e avioni ishte instaluar një GPS përmes të cilit janë ndjekur me përpikëri të gjitha lëvizjet e mjetit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: