Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ia ka dërguar një letër mirënjohjeje kongresmenit në ikje të SHBA, Eliot Engel.

Ruçi thotë se Engel është një mbrojtës i pashoq i çështjeve të shqiptarëve Shqipërisë dhe Kosovës për më shumë se tri dekada.

Ai shprehet i bindur se edhe pas përfundimit të shërbimit të Engel në Komitetin për Çështjet e Jashtme dhe Dhomën e Përfaqësuesve, ai do të shërbejë me të njëjtin përkushtim për integrimin europian të Shqipërisë, dialogun Kosovë-Serbi etj.

 

 

NJOFTIMI NGA KUVENDI

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, letër mirënjohjeje zotit Eliot Engel: Mirënjohje, si mbrojtës i madh dhe i shquar i çështjeve të shqiptarëve për më shumë se tri dekada

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër mirënjohjeje zotit Eliot Engel, ish Kryetar i Komitetit për Çështjet e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan. “Ju shpreh përgëzimet dhe mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe timen personale për dekadat e shërbimit Tuaj me përkushtim të jashtëzakonshëm në Dhomën e Përfaqësuesve, në Kongres dhe në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mbështetjen e zhvillimit, ruajtjen e paqes dhe inkurajimin e përpjekjeve të kombeve për liri, demokraci, siguri dhe mirëqenie. Populli shqiptar ka vlerësuar dhe do të vazhdojë të vlerësojë në personalitetin Tuaj mbrojtësin e pashoq të çështjeve të shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës për më shumë se tri dekada. Jam i bindur se edhe pas përfundimit të shërbimit Tuaj në Komitetin për Çështjet e Jashtme dhe Dhomën e Përfaqësuesve, Ju do të vazhdoni t’u shërbeni me të njëjtin përkushtim bashkëpunimit tonë dypalësh, zhvillimit dhe integrimit europian të Shqipërisë si edhe dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, i cili do të mundësojë njohjen e ndërsjelltë mes dy vendeve si edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: