Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur me një mesazh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të “Artistit të Merituar” Agim Krajka. Ruçi shprehet në mesazhin e tij se Krajka krijoi shkollën e vet origjinale muzikore, si një harmonizim i muzikës së lehtë dhe muzikës popullor. Ai e cilëson kompozitor të rinisë dhe dashurisë.

“Agim Krajka është një ndër pionierët e muzikës shqiptare. Me krijimtarinë e vet artistike, Krajka krijoi shkollën e vet origjinale muzikore, si një harmonizim i muzikës së lehtë dhe muzikës popullore. Krajka ka shkruar me mjeshtëri e finesë të lartë muzikën e valleve popullore nga të gjitha viset shqiptare: jugu e veriu, ka shkruajtur valle tropojane, dropullite e çame. Agim Krajka ishte dhe do të mbetet kompozitori i të gjithë brezave, por mbi të gjitha krijuesi i muzikës e këngëve të rinisë dhe dashurisë. Fitues i rreth 20 çmimeve artistike, Artist i Merituar dhe Nderi i Kombit, janë njohja prej kulturës dhe kombit shqiptar i veprës unike dhe universale të kompozitorit të talentuar e virtuoz Agim Krajka”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb