Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Artistit të Popullit, regjizorit të shquar, Pirro Mani.

Në mesazhin e tij, Ruçi shkruan se Mani i kushtoi gjithë jetën teatrit dhe filmit, ndaj dhe sipas tij, kjo e bën atë sinonim të artit të regjizurës shqiptare.

“Me dëshpërim moral lajmin mbi ndarjen nga jeta të regjizorit të shquar, Artistit të Popullit, Pirro Mani. Një jetë e tërë kushtuar teatrit dhe filmit, e bën Pirro Manin sinonim të artit të regjizurës shqiptare. Pirro vuri në skenën e teatrit shqiptar vepra të kalibrit të lartë dhe krijoi me rolet e veta personazhe që kanë mbetur në kujtesën e artdashësve dhe të popullit shqiptar. Veprat që ka venë në skenë Pirro Mani i kanë sjellë publikut jehonën e ngjarjeve monumentale të historisë së shqiptarëve dhe historisë botërore. Ai ka gjithashtu meritën e formimit të dhjetra brezave të aktorëve të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Arti i Pirro Manit ka qenë dhe mbetet një burim i emancipimit shoqëror dhe kulturor të shqiptarëve. Pirro Mani është përjetësuar në veprën artistike që u ka lenë brezave të shqiptarëve.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb