Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përshëndeti sot Ditën e Lirisë së Kosovës. Ruçi shprehet në mesazhin e tij se sot është dita të urojmë vëllezërit kosovarë për më shumë zhvillim e mirëqenie, për më shumë kontribute të Republikës së Kosovës në zhvillimin, paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Ai deklaron se sot është dita të përsërisim mirënjohjen tonë si komb ndaj NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, besimi, përkushtimi dhe vendosmëria e të cilëve në vlerat e lirisë, të të drejtave të njeriut, të paqes dhe demokracisë ishte dhe mbetet vendimtare për lirinë e Kosovës.

Ruçi thekson se e ardhmja e Kosovës së lirë dhe të pavarur është e lidhur pazgjidhshmërisht me integrimet e saj euroatlantike dhe partneritetin strategjik e bashkëpunimin me NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.

“Sot është Dita e Çlirimit dhe Paqes së Kosovës. 21 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat e NATO-s hynë në Kosovë. Ky aksion i rëndësishëm ushtarak dhe politik ishte një shërbim i madh, jo vetëm për çlirimin e Kosovës, por edhe për çështjen shqiptare dhe stabilitetin e paqen në rajon.
Sot është dita të urojmë vëllezërit kosovarë për më shumë zhvillim e mirëqenie, për më shumë kontribute të Republikës së Kosovës në zhvillimin, paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Sot është dita të përsërisim mirënjohjen tonë si komb ndaj NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, besimi, përkushtimi dhe vendosmëria e të cilëve në vlerat e lirisë, të të drejtave të njeriut, të paqes dhe demokracisë ishte dhe mbetet vendimtare për lirinë e Kosovës.
NATO është gjeneratori kryesor i stabilitetit, paqes dhe sigurisë globale, europiane e rajonale.
E ardhmja e Kosovës së lirë dhe të pavarur është e lidhur pazgjidhshmërisht me integrimet e saj euroatlantike dhe partneritetin strategjik e bashkëpunimin me NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.
Bashkëpunimi me NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian nuk është thjesht një detyrim mirënjohës, por një kusht ekzistencial për të ardhmen e Kosovës së lirë, demokratike dhe europiane.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në përshëndetjen e tij me rastin e Ditës së Lirisë së Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb