Tetëdhjetë vjet pas dorëzimit të Gjermanisë Naziste, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pati shumë për të thënë rreth saj dhe shkatërrimit të pashoq që përjetoi Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Por, ai nuk tha edhe aq shumë për luftën tjetër, më të madhen në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore: pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Mund të jetë një mënyrë për t’u përballur me të. Ose thjesht një pasqyrim i një problemi të pazgjidhshëm që Kremlini ia ka shkaktuar vetes në një luftë që e ka shkatërruar Ukrainën, por gjithashtu ka shkaktuar më shumë humbje për Rusinë se të gjitha luftërat që i ka zhvilluar ajo që nga viti 1945.
Lufta në Ukrainë ngatërrohet me atë që Kremlini e quan “shkaqe rrënjësore”. Ky është kryesisht një eufemizëm për versionin e Moskës për historinë e shekullit të 20-të, ku Bashkimi Sovjetik ndihmoi aleatët për ta çliruar Evropën dhe më pas vendosi katër dekada sundim autoritar dhe komunist mbi një pjesë të madhe të saj.
Shumëllojshmëritë e kësaj përllogaritje të shtrembëruar përfshijnë pretendimin e rrejshëm se Ukraina është tani nën kontrollin e neo-nazistëve që ndihmuan në një grusht shteti 11 vjet më parë, duke përzënë një president me simpati për Rusinë dhe duke përndjekur rusët në Ukrainën lindore.
Po aq i rëndësishëm është edhe pretendimi se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e tradhtuan Moskën kur aleanca pranoi anëtarët e mëparshëm të Paktit të Varshavës – Republikën Çeke, Poloninë, Hungarinë dhe të tjerët – në vitet pasuese.
“Ne i kujtojmë mësimet e Luftës së Dytë Botërore dhe nuk do të pajtohemi kurrë me shtrembërimin e ngjarjeve të saj, me përpjekjet për të justifikuar ekzekutuesit dhe për të njollosur fituesit e vërtetë,” tha Putin gjatë fjalimit të 9 Majit.
“E vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. E gjithë vendi, e gjithë shoqëria, populli mbështet pjesëmarrësit e operacionit special ushtarak”, shtoi ai.
(BalkanWeb)