Rusia do ta shihte vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, si një përshkallëzim shumë të rrezikshëm dhe e konsideron ndryshimin e regjimit në Iran “të papranueshëm”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një intervistë me Sky News të premten.
“Ata do ta hapin kutinë e Pandorës”, tha Peskov, duke iu referuar emërtimit të Khameneit si një objektiv i mundshëm i sulmeve izraelite ose amerikane.
Ai paralajmëroi se rajoni është tashmë jashtëzakonisht i tensionuar dhe tha se çdo zgjerim i konfliktit do ta destabilizonte më tej Lindjen e Mesme. “Kjo do të çojë vetëm në një rreth tjetër konfrontimi dhe përshkallëzimi të tensionit”, tha ai.
Peskov shtoi se një përpjekje për vrasje mund të shkaktojë një reagim nga brenda Iranit dhe të nxisë ndjenjat ekstremiste. “Ata që flasin për këtë duhet ta kenë parasysh këtë”, tha ai.
Komentet e tij pasuan një deklaratë të Ministrit Izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, i cili tha të enjten se qëllimet e luftës së Izraelit përfshijnë heqjen e kërcënimeve bërthamore dhe raketore të Iranit, duke shtuar se “një njeri i tillë [Khamei] nuk mund të lejohet më të ekzistojë”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump , i cili ka thënë se do të vendosë brenda dy javësh nëse Shtetet e Bashkuara do t’i bashkohen fushatës ushtarake të Izraelit, tha më parë këtë javë se SHBA-të nuk do ta vrisnin Khamenein – “të paktën jo ende”.