Ish- deputeti i LSI ka mundur të gjejë ish- mësuesin e tij Ymer Llugaliun në Kosovë të cilin e ka pasur mësues në Kurbnesh të Mirëditës 44 vite më parë.

Rama thotë se mësuesin e tij e burgosën pa ardhur 7 marsi i atij viti dhe nuk e ndjeu urimin nga nxënësit e tij madje dhe ish- deputeti thotë se nuk ia kishte uruar dot.

Sot Luan Rama vendosi që të udhëtojë drejt Podujevës për t’ia uruar ish- mësuesit 7 marsin dhe Ymer Llugaliu i cili i thoshte bashkëqytetarëve të tij ”E kam patur nxënës dhe ka ardhur nga Shqipëria për të më uruar festën e mësuesit”.

STATUSI I LUAN RAMËS

Në Podujevë të Kosovës,
për t’i uruar festën mësuesit tim.

Në festën e mësuesit, në ditën e shenjtë që shënjon një festë që duhet të jetë nga më të bukurat e më të rëndësishmet që një komb duhet të ketë, i dedikoj një lavdërim të veçantë mësues Ymer Llugaliut prej Kosove.

E kam patur mësues kujdestar për disa muaj, në klasën e pestë në Kurbnesh të Mirditës.
E kam patur edhe mësues të gjuhës shqipe dhe të leximit letrar, siç quhej në atë kohë lënda e letërsisë. E kam patur edukator, e kam patur shembull e model, por vetëm për disa muaj…

Sepse më vonë e arrestuan, e burgosën!

Ishte nëntori i vitit 1976.

Me këtë fragment nga një shkrim i një viti më parë, ia dola të komunikoj më nipat e ish-mësuesit tim, dhe falë tyre edhe t’a gjej.

E, sot në festën e mësuesit, erdha enkas t’ia uroj festën mësues Ymer Llugaliut. Erdha në Podujevë, aty ku ai jeton që prej vitit 1999, ku u rikthye pas çlirimit të Kosovës.
Erdha dhe e urova me gjithë zemër pas 44 vitesh: Gëzuar festën mësuesi im!

Për sa kohë unë isha nxënës dhe ai mësues, nuk ia urova dot festën mësuesit tim.
Sepse, atë e burgosën pa ardhur 7 marsi i vitit të parë kur unë isha nxënesi i tij.
E mandej, ai u detyrua të kalonte nëpër shkallët e ferrit të rregjimit komunist, pa mundur të ndjente kënaqësinë e urimit të festës së mësuesit prej nxënësve të tij.

Unë erdha sot enkas për mësuesin tim, e urova me gjithë zemër në Podujevën e tij, në Kosovën tonë.
Dhe sa shumë emocione e mall, sa shumë kujtime e gëzim ndamë bashkë, teksa unë dëgjoja nga goja e tij t’ju thoshtë nipave, të afërmve, por edhe bashkëqytetarëve të tij: e kam patur nxënës dhe ka ardhur nga Shqipëria për të më uruar festën e mësuesit…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb