Shoqata e Aktorëve të Ekranit- Federata Amerikane e Artistëve të Televizionit dhe Radios (SAG-AFTRA) ka mbrojtur Alec Baldwin pasi u akuzua për vrasje të pavullnetshme të kineastes Halyna Hutchins në xhirimet e filmit “Rust”.

Sindikata ka argumentuar se Baldwin nuk ishte përgjegjës për sigurinë e armëve të zjarrit në setin e filmit, duke e përshkruar akuzën si një “vlerësim të pasaktë të detyrave aktuale të një aktori në xhirime”.

”Detyra e një aktori nuk është të jetë ekspert i armëve të zjarrit”, thuhet në një deklaratë.

“Industria ia cakton këtë përgjegjësi profesionistëve të kualifikuar që mbikëqyrin përdorimin dhe trajtimin e tyre në çdo aspekt”, shtohet në të.

Baldwin, aktori kryesor dhe një bashkëprodhues i filmit, po i drejtonte armën Hutchins gjatë një provash në tetor 2021 kur arma shpërtheu, duke e vrarë atë dhe duke plagosur regjisorin, Joel Souza.

Baldwin u akuzua fillimisht në janar 2023, por këto akuza u hodhën poshtë zyrtarisht tre muaj më vonë.

Javën e kaluar, prokurorët specialë e sollën çështjen përpara një jurie të madhe në Santa Fe, pasi morën një analizë të re të armës që u përdor, dhe Baldwin u akuzua sërish.

Deklarata e SAG-AFTRA vjen dy ditë pasi Baldwin, përmes avokatëve të tij Luke Nikas dhe Alex Spiro, paraqiti dokumente gjyqësore duke kërkuar një “gjykim të shpejtë”.

Ndërkohë Hannah Gutierrez Reed, armatorja e filmit, është deklaruar e pafajshme për vrasjen e pavullnetshme dhe manipulimin e provave në këtë çështje dhe është vendosur të dalë në gjyq më 21 shkurt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: