NGA FATMIRA NIKOLLI*

Femrat kanë qenë një frymëzim i gjithhershëm për Sali Shijakun. Sot, kur e pyet piktorin 82-vjeçar se si e përkufizon femrën, ai pulit sytë e qeshur dhe thotë: “Një filozof është shprehur se një vijë e drejtë, nuk është e bukur. Një vijë kurbë është më variante se sa një vijë e drejtë. Një vijë kurbë në një anë dhe me një vijë kurbë në të kundërt, është më variante se sa vetëm një vijë kurbë. Një vijë kurbë e fortë dhe një vijë kurbë e lehtë, kjo është vija e së bukurës. Këtë e nënvizon. Çfarë kemi ne në jetë që është e pasur me vijën e së bukurës? Femra. Dhe femra është e tillë, sidomos kur kërcen. Ato vijat gjarpëruese, kur kërcen i manifeston fuqishëm. Në ato çaste, pikërisht atëherë, femra është më e bukur së çdo herë”.
Në ekspozitën e tij vetjake çelur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve, mes 73 punëve(që janë përzgjedhur prej 1500 veprave të Shijakut), shumë syresh janë femra. Ndër më të bukurat prej tyre, është ajo e posterit. Me dy buzë të vogla e të kuqe, hundën e rregullt, dy cullufe kaçurrelash që mbulojnë pjesërisht faqet, ajo titullohet “Nusja” dhe është realizuar më 1983. Femra mbi të cilën lindi kjo vepër është një anonime që kishte hedhur diku fotografinë, dhe qe zhdukur bashkë me historinë e saj. “Ju pyesni për nusen më parë. Unë atë nuk e kam parë asnjëherë. Duke ecur rrugës gjeta një fotografi të vogël, të zbehtë e të keqe. Një femër që stolisej me disa pare përpara, një foto jo shumë e qartë. Por nga një fotografi shumë e keqe mund të bësh një pikturë shumë të bukur. Unë bëra këtë”, thotë Sali Shijaku.
Ekspozita
Shijaku rikthehet në GKA pas 29 vitesh. Mes 73 punëve, 50 janë nxjerrë nga koleksioni i GKA(pasi janë restauruar) ndërsa 23 nga studioja e tij. Ekspozita dhe katalogu shfaqin ecurinë e pikturës së tij që nis në vitet ’50-të e deri në ditët e sotme, ndërsa është ndarë në dy kohë. Femra të hijshme, legjenda e Rozafës e të tjera, portrete heronjsh, partizanë, vizatime nga më të parat e kohëve të rinisë, deri tek nudot e jetësuara së fundmi. Tablo të mëdha e me përmasa të vogla, krijimtaria e një jete, shpërfaq ‘thesaret’ e Shijakut.
Para çeljes së ekspozitës, në konferencën para mediave, drejtori i Galerisë Kombëtare, Artan Shabani e vlerësoi kështu artin e Shijakut. “Mjeshtri nuk ka dy periudha, por ka një fillim dhe një vazhdimësi të veprës së vet. Lëviz drita brenda artistit, koncepti artistik, lëviz emocioni. Ai nuk zhvendoset në situata të tjera dhe ndryshimi i kohëve, nuk e traumatizon, përkundrazi, e çliron”. Sipas Shabanit, ngjyrat e pikturave të Shijakut dhe drita e tyre duhet kërkuar në jug të Francës.
“Arti i tij më cilësor dhe tërësia e krijimtarisë së tij bëjnë pjesë në kulturën themeltare të artit figurativ tradicional shqiptar. Krijimtaria e prezenca e Shijakut në galeri është vlerë. Mendoj se kjo do të jetë një nga ekspozitat më të vizituara nga publiku”,-shtoi drejtori i GKA-së, Artan Shabani.
Piktori Ksenofon Dilo, mik i artistit që prej shkollës së artit, rrëfeu kujtime nga miqësia dhe vlerësoi ekspozitën. “Unë me Saliun jemi njohur qysh në vitin 1948. Duke qenë në një klasë me të e kam vlerësuar për humorin e tij, humor që vihet re edhe në vepra. Në këtë ekspozitë ai shtegton nga një motiv te tjetri”,- tha Dilo. Ai nuk ngurroi të bëjë edhe një krahasim mes dy kohëve, para dhe pas ’90-ta. “Ka një farë diference. Para ka forma më të rënduara dhe pse japin një informacion më të plotë, ndërsa pas, subjektet duken më të çliruara, ngjyra më dekorative, dhe më e qetë. Ky është evoluimi i artistit dhe i kohës, kjo është e natyrshme”.
Kalimi pa traumë
Shijaku e nis fjalën e tij me falënderim për Shabanin, që arriti ta bindë të rikthehet në GKA, mandej, ndalet në krahasimin mes dy kohëve, para dhe pas 90-ta. Duke e kujtuar para ’90-ën si gazmore dhe të vështirë, piktori kujton se i pëlqente të punonte gjatë natës, deri në mëngjes. “E doja punën. Vepra duhet të përkonte me atmosferën e kohës. Për shumë artistë ndryshimi i sistemit, ishte një shkëputje, një traumë. Për mua, nuk kishte traumë, kishte vetëm vazhdimësi. E dija se nuk do të kishte komisione, që të më kërkonte që të bëja ndërhyrje në veprat e mia. Kjo, më pëlqente”. Mbas këtij rrëfimi, ai zbulon se veprat e tij i ka quajtur gjithnjë të pambaruara, pse për të, të vësh firmën mbi një vepër, do të thotë që kjo është më e mira që mund të japësh, dhe shpesh mendon se më e mira është shumë pak.
E paçka atyre që janë veprat e tij sot, Shijaku, pyetjes nëse do të donte të ndryshonte diçka i përgjigjet kështu: “Edhe Homeri dremit ndonjëherë. As ai nuk i ka të gjitha faqet me të njëjtin rezultat”.
Vojo kushi, historia e censura
Një prej veprave më të njohura të Shijakut, është padyshim tabloja e madhe e Vojo Kushit mbi tank. Pas saj, fshihet një histori jetësore, e bartur në kujtesën e artistit. “Unë e kam njohur Vojo Kushin. Isha 9 vjeç kur ai erdhi te porta ime. Kishte një çibuk të vogël në njërën dorë dhe një kobure në tjetrën. Nëna ime e porositi të kishte kujdes se mund ta vrisnin. Ngado kishte policë. Unë e kam pikturuar sipas një fotografie që e kisha marrë në arkivë”. Veçse piktura, kaloi në lupën e komisioneve të kohës. “Është bërë një mbledhje për të. Kritikohesha pse e kisha bërë Vojo Kushin me këmbë zbathur. Kur më thanë pse nuk ia pikturova këpucën, unë u thashë: Këmbëzbathurit e kanë bërë luftën, jo të pasurit me këpucë të mira”.
E kërkesat për ndërhyrje në vepër nuk qenë të rralla. “Më kërkuan të bëja një vepër për një djalë nga Peza që kishte gjuajtur aeroplanin me pushkë. Mbasi e bëra, banorët e zonës erdhën e thanë, ai nuk ishte vetëm, kishte edhe të tjerë. Duhej pra, të shtoja banorë. Posi iu thashë. Kështu, pikturova një kodër, dhe ndanë saj disa ‘miza’ të vogla, që vinin me flamur t’i bashkoheshin djalit që i gjuante aeroplanit”.
Nudot
Dikur të palejuara, i mungojnë koleksionit të para ’90-ës, ndërsa pas saj, ka disa të tilla. Në këtë pikë, Dilo shton se nudo u ndalua mbas Plenumit të IV dhe piktorët që i realizonin. “E ndaluan. Piktorët i mbanin të mbyllur në studiot e tyre. Nuk ekspozoheshin”. Në fund, Shijaku nuk ngurron të japë një këshillë për të rinjtë: “Arti i pambështetur në shtyllat e mira të traditës mbetet i përkohshëm, vetëm në mos ka talente a gjeni”.
Kur bisedat me gazetarët mbarojnë dhe dritat e sallës së ekspozitës shuhen, Sali Shijaku merr udhën drejt daljes. Ecën drejt, si një 20-vjeçar. Pas shpine, lë gjithë karrierën e tij (që ekspozohet deri më 28 korrik). Ne, na la rrëfimet, rrëfimet e një artisti.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: