Kreu i PD, Sali Berisha ka reaguar pasi ish-deputeti demokrat Ervin Salianji publikoi disa fletë votimi, ku ishte “votuar” për të në zgjedhjet për kreun e partisë të cilat po zhvillohen këtë të shtunë. Salianji u përjashtua nga gara, por disa demokratë në fletën e votimit kanë shtuar emrin e tij, mënyrë simbolike reagimi, pasi ai nuk u lejua të kandidonte.

Gjatë një deklarate për mediat pasi votoi në selinë blu, Berisha u shpreh se “përpëlitjet e botës së krimit nuk mund të bëjnë asgjë për të përlyer procesin”, ndërsa theksoi se përfaqësuesit e botës së krimit nuk kanë dhe nuk do të kenë vend në Partinë Demokratike”. “Jemi të ndarë për jetë a vdekje me botën e krimit. Askush nuk mund të mendojë apo të konsiderojë fuqi në këtë parti fuqinë e krimit”, deklaroi kreu i PD-së.

Pyetje: Zoti Berisha, në rrjetet sociale janë publikuar, ose më saktë vetë ish-deputeti Ervin Salianji ka publikuar disa foto ku qytetarët, ose demokratë kanë marrë fletën e votimit, nuk kanë zgjedhur emrin tuaj por kanë shënuar emrin e Ervin Salianjit. A jeni i penalizuar që nuk e keni rival përballë?

Sali Berisha: Unë besoj se përpëlitjet e një përfaqësuesit të botës së krimit nuk mundet me asgjë të përlyejnë këtë proces më demokrat në Shqipëri. Përfaqësues të botës së krimit nuk kanë dhe nuk do kenë kurrë vend në këtë parti. Ndarja jonë me botën e krimit është ndarje për jetë a vdekje. Kjo është zgjidhje përfundimtare e jona. Askush dhe asnjëri nuk mund të mendojë se të konsiderojë fuqi në këtë parti, fuqinë e krimit. Jo. Zero. Faleminderit. Mirupafshim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb