Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar mbrëmjen e sotme pas shfaqjes së një denoncimi për korrupsion në spitalin COVID 2. Ministria e Shëndetësisë dënon me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares me inicialet T.A., të spitalit “Shefqet Ndroqi”, i bërë publik sot në emisionin investigativ “STOP”.

Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të sanitares me inicialet T.A.

Po kështu i kërkon autoriteteve kompetente, të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për ta çuar atë deri në fund.
“Akti i izoluar i një punonjëseje të papërgjegjshme, nuk mundet kurrsesi të njollosë punën e jashtëzakonshme dhe sakrificën e mijëra mjekëve dhe infermierëve në të gjithë Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë të pandemisë.
MSHMS falënderon emisionin investigativ “STOP” për denoncimin e rastit në fjalë dhe siguron qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast abuzimi me të drejtën e tyre për të marrë shërbimin shëndetësor që u takon”, deklaron MSH.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb