Sarri ka dalë në konferencën tradicionale për shtyp në vigjilje të sfidës së nesërme kundër Milanit, të vlefshme për Kupën e Italisë, ndërsa argumentet kanë qenë disa. Nga takimi me presidentin Anjeli, te forma e lojtarëve të caktuar si dhe një përgjigje e thatë nga trajneri në lidhje me zërat e merkatos për një nënshkrim të Leo Mesit.

“Takimi me presidentin ishte programuar që pas ndeshjes me Fiorentinën, por u shty sepse të dy kishim angazhime të ndryshme. Me të takohem shpesh dhe nuk flasim vetëm për një ndeshje, por për sezonin në tërësi. A ndihem nën presion? Sigurisht, nëse nuk do ta doja presionin do të punoja në postë. Kur je te Juventusi është normale të jesh nën presion. E dimë që jemi në linjë me objektivat sezonalë”.

“Me Ronaldon kam biseduar dhe më ka thënë që ndihet mirë. Kur të ndihet i lodhur do të ma thotë menjëherë dhe do ta vlerësojmë pushimin e tij ndeshje pas ndeshjeje. Pjaniç e nisi mirë sezonin, por tani ka një një rënie fiziologjike. Brenda 15 ditësh do të kthehet sërish në formë. A mund të luajnë bashkë Ronaldo me Mesin? Po flasim për një lojtar të jashtëzakonshëm dhe njëkohësisht i federuar me Barcelonën. Nuk mund të përgjigjem”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb