Kryeministri Edi Rama foli sërish për “Ballkanin e Hapur”, duke u shprehur prerë se Shqipëria duhet të nisë me shtjellimin dhe zbatimin e kësaj nisme.

Duke folur në përvjetorin e Fondacionit Gjerman “Friedrich Ebert” në Shqipëri, Rama tha prerë se nuk do të ketë rrugë tjetër për asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përveçse të bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

“Ballkani i Hapur është ideja e duhur në kohën e duhur dhe pa diskutim që të gjithë do ta përqafojnë këtë ide hap pas hapi. Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, por duhet të nisë me shtjellimin dhe zbatimin e kësaj ideje. Pa diskutim që kjo është e ardhmja, nuk ka asnjë mundësi tjetër përveçse të hapemi me njëri-tjetrin. Kështu fitojmë kohë nga e ardhmja, sepse sidoqoftë, Ballkanin e Hapur do të jemi të detyruar ta bëjmë dhe s’do kemi rrugë tjetër, në momentin kur do të hyjmë në BE. Do të ishte një ekstra sforco dhe kohë e humbur, ndërsa duke e bërë sot me bindje ne i japim mundësi vetes të rrisim ekonominë tonë. Asnjë prej nesh në Ballkanin Perëndimor nuk e ka luksin të lërë ekonominë mënjanë dhe të merret me politikën në plan të parë për arsye interesash partiake të brendshme”, tha kryeministri Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb