TIRANË

Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00 për të diskutuar mbi rendin e ditës, ndërsa opozita e bashkuar vijon “betejën” duke kërkuar krijimin e një qeverie tranzitore.

Edhe pse nuk ka një njoftim për organizim proteste nga opozita, Policia e Shtetit ka zbritur në terren duke vendosur një kordon sigurie para godinës së Parlamentit. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se në terren ndodhen 300 efektivë policie. Në gatishmëri janë edhe FNSH e RENEA.

Në seancën e sotme priten të betohen edhe deputetët e rinj të opozitës. Parlamenti do shtohet sot me pesë deputet të rinj, që sipas Rregullores, ata do të betohen në institucionin ligjvënës për të marrë më pas mandatin e deputetit.

Deputetët që do të betohen janë; Elda Hoti e LSI-së, Erdiola Braha e LSI-së, Edlira Hysenit e LSI-së, ndërsa  nga Partia Demokratike janë Lefter Maliqi dhe Majlinda Halilaj.

Gjithashtu sot do të mblidhet sërish Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për dy kandidatët që u miratuan dje nga KQZ-ja dhe konkretisht do diskutohet për Ligoraq Karamelon e Partisë Demokratike në qarkun Korçë dhe Alban Zenelin në qarkun Kukës. Për këta dy emra duhet të shprehet Këshilli i Mandatave përpara se të kalojnë në Kuvend për t’u betuar si deputetë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: